Ne rrjet

Shkrimtarja e njohur turke, Elif Shafak: Vështirë të mposhtet Erdogani, por është e drejtë të shpresojmë

Akademikja dhe zëri i njohur i letërsisë turke vlerëson opozitarin Kiliçdaroglu që sfidon “Sulltanin”: ​Ky vend e meriton demokracinë, nuk është e lehtë të luftosh kundër populizmit dhe autoritarizmit. Këto nuk janë zgjedhje të ndershme

Gazeta Si - “Turqia e meriton demokracinë. Tani më shumë se kurrë, opozita duhet të qëndrojë e bashkuar. Mbajtja e shpresës gjallë kundër frikës. Të flasësh kundër shtypjes, është e rëndësishme”.

Elif Shafak emocionohet, e di se çfarë është në lojë dhe mendon se është detyrë e saj të flasë: “Ne shkrimtarët duam të jetojmë brenda imagjinatës tonë letrare. Por, duke ardhur nga një vend si Turqia, ne nuk mund t'ia lejojmë vetes luksin për të heshtur. Ne duhet të flasim për ata që nuk kanë zë”, thotë në këtë intervistë për "Corriere della Sera", gazetarja, autorja, akademikja dhe shkrimtarja, një nga zërat më autoritarë të letërsisë turke.

E lindur në Strasburg, nga një nënë diplomate në 1971, Elif Shafak është autore e disa romaneve dhe njëherazi shkrimtarja më e lexuar e Turqisë.

Veprat e saj, si “Bastardja e Stambollit” janë përkthyer në mbi 30 gjuhë dhe jeta e Shafak-ut është e ndarë midis Stambollit (qytetit të saj të zemrës) dhe Londrës.

Opozita e kishte menduar se fitorja ishte gati në raundin e parë. Ndoshta ngatërroi dëshirën me realitetin?

Më mirë do të thosha se ishte shpresa kundër frikës. Rezultatet e raundit të parë ishin demoralizuese. Por duhet të kujtojmë se Erdogan ka qenë në pushtet për njëzet vjet të gjata. Këto nuk ishin zgjedhje të drejta.

AKP kishte premtuar reforma liberale, një kushtetutë të re demokratike dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, por sa më shumë kalonte koha, aq më shumë bëhej nacionaliste, islamike dhe autoritare.

Kemal Kiliçdaroglu ka arritur shumë nëse merret parasysh se në Turqi nuk ka liri të shtypit, as ndarje pushtetesh dhe shumë aktivistë të të drejtave të njeriut, si Osman Kavala, janë burgosur padrejtësisht.

Çfarë mund të bëjë Kiliçdaroglu për të fituar të dielën (28 maj)?

Kiliçdaroglu është një njeri i ndershëm, një politikan i mirë dhe ka bërë fushatë për qetësinë, gjithëpërfshirjen dhe mirësinë. Qasja e tij është paqësore dhe konstruktive.

Unë e shoh këtë shumë të rëndësishme në një vend ku njerëzit janë shumë të ndarë dhe disa madje të zemëruar. Ai ka gjetur një mënyrë për të bashkuar ata që vijnë nga prejardhje të ndryshme me një slogan që flet për dashurinë. Por nuk është e lehtë të luftosh kundër populizmit, autoritarizmit dhe padrejtësisë sistematike.

Çfarë do të ndodhë nëse, siç duket, fiton Erdogan?

Do të jetë një lajm i keq për të gjithë ata që jetojnë në demokraci, respektojnë diversitetin, mbështesin të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe të drejtat LGBTQ.

Më duket shumë e trishtueshme të shoh rritjen e fondamentalizmit fetar, ultra-nacionalizmit dhe autoritarizmit. Ky është një udhëkryq ekzistencial për popullatën femërore dhe për të gjithë ata që trajtohen si "tjetri", pra kurdët, alevitë dhe pakicat e tjera.

Sepse kur tronditet demokracia, të drejtat e para që anulohen janë të tyre, siç ndodhi me Konventën e Stambollit. Turqia po bëhet gjithnjë e më patriarkale dhe seksiste.

Ka një rritje të madhe të nacionalizmit, e dëshmon 5% i marrë i Sinan Ogan në raundin e parë, pse?

Rritja e madhe e nacionalizmit turk është shumë dëshpëruese. Ky është një trend që vazhdon prej shumë kohësh.

Politikanët populistë përdorin retorikë nxitëse kundër emigrantëve dhe pakicave, pra njerëzve që nuk kanë pushtet. Politikanët demagogë krijojnë gjithmonë një atmosferë frike, urrejtjeje, ndarjeje dhe polarizimi ekstrem. Kështu ndodhi në Turqi dhe kjo e bëri më të fortë ngritjen e nacionalizmit.

Sinjalet që vijnë nga Bursa e Stambollit janë shumë negative, çfarë do të ndodhë me ekonominë?

Ekonomia turke tashmë po vuante dhe nëse Erdogan fiton, nuk do të përmirësohet. Një nga problemet kryesore është se në vend që të punësohen njerëz kompetentë, objektivë dhe të besueshëm, emërohen dhe promovohen vetëm mbështetësit e presidentit.

Kjo do të thotë se nuk ka meritokraci, ndërsa nepotizëm dhe favorizim ka me bollëk. Kjo do të ketë një efekt shumë negativ edhe në ekonomi. Dhe janë njerëzit e varfër ata që paguajnë çmimin. Njerëzit tashmë po vuajnë.

Pritej që rajonet e prekura nga tërmeti të penalizonin Erdoganin për vonesën në përpjekjet e ndihmës dhe për skandalin e ndërtimeve të paligjshme. Përkundrazi, AKP-ja fitoi në ato zona. Si ka mundësi?

Ka disa arsye. Njerëzit në zonat e tërmetit vuajtën shumë dhe mijëra vdiqën ose humbën të gjitha gjërat e tyre.

Në Hataj, për shembull, ku votimi zakonisht shpërblen opozitën, pati shumë viktima dhe të mbijetuarve iu desh të largoheshin nga qyteti.

Disa janë kthyer për të votuar, gjë që është e admirueshme, por mijëra jo, fatkeqësisht.

Në vende të tjera të prekura nga tërmeti, si në Maras, ku qeveria është e fortë dhe kultura është tradicionalisht më konservatore, qeveria ka ndërtuar një sistem patronazhi me burimet e shtetit për të fituar konsensus.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë