Ngjarje

‘Shkrihet’ reparti në Zall Herr / Pas kanabisit lirohen 4 ushtarakë, pritet vendimi edhe për 10 të tjerë

Gazeta Si – “Furtunë” dhe masa administrative në repartin ushtarak të Zall Herrit, ku u zbuluan rreth 125 bimë të kultivuara me kanabis një javë më parë.

Përveç 3 ushtarakëve të arrestuar më herët, pas një mbledhjeje urgjente, Ministria e Mbrojtjes ka liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion 4 ushtarakë të këtij reparti, ku ndodhi ngjarja.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se është bërë propozim për lirimin nga detyra dhe nxjerrjen në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura edhe të 6 ushtarakëve dhe 4 efektivëve të Policisë Ushtarake, duke sjell në këtë mënyrë një “shkrirje” të të gjithë Policisë Usharake.

Bëhet fjalë jo vetëm për anëtarë të repartit ushtarak, por edhe të policisë ushtarake dhe inspektorë të krimeve që janë pjesë e policisë ushtarake, të cilët kanë vepruar në dyshimin se kanë shpërdoruar detyrën.

Janë liruar nga detyra:

1.Specialisti për siguri në në seksionin e zbulimit

2.Specialist për infrastrukturën/MNZSH

3.Zëvëndës Komandant toge në Kompaninë e mbështetjes

4.Magazinier/shofer në Kompaninë e Mbështetjes

Propozimin për lirimin nga detyra dhe nxjerrjen në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm të FA të 6 ushtarakëve të FT dhe 4 ushtarakë të Policisë Ushtarake.

1.Komandanti i Repartit Ushtarak

2.Komandanti i Policisë Ushtarake

3.Shefi i Shtabit i Repartit Ushtarak

4.Shefi i Seksionit të Zbulimit i Repartit

5.Komandanti i Kompanisë Mbështetëse të Repartit

6.Specialist për gatishmërinë dhe Operacionet

7.Specialist për Zbulimin në Repartin ushtarak

8.Inspektor i Policisë Ushtarake

9.Agjent Krimesh në Policinë Ushtarake

10.Ndihmës Specialist/Agjent Krimesh në Policinë Ushtarake

Po ashtu, është marrë masë disiplinore “Zgjidhje e kontratës së punës” për një Inspektor/Ekspert i Ekzaminimeve Kompjuterike të PU si dhe masa disiplinore “Paralajmërim për zgjidhje kontrate” për Shefin e Sektorit të Policisë Kriminale në Policinë Ushtarake.

Deri tani nga hetimet, ende nuk janë konstatuar kush janë kultivuesit, banorët e zonës apo kanë bashkëpunëtorë, ndërsa kjo pritet të konfirmohet nga policia kriminale.

Në rrëfimet e tyre, tre ushtarakët e ndaluar insistojnë se e kishin të pamundur të kontrollonin zonën e pyllëzuar që është e shtrirë mes dy fshatrave të Kamzës dhe Zall Herrit.

Ajo që është kundër tre ushtarakëve të arrestuar është edhe firmosja e një dokumenti në periudhën qershor-korrik, ku ata konfirmojnë si inspektorë se nuk kishte bimë të kultivuara në brendësi të repartit.

Të arrestuar janë: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin; Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie. Ndërsa do të hetohen në liri Komandant Reparti dhe zv/ komandanti i togës. 

Nga burime në rrugë jo zyrtare, dyshohet se rrënjët e kanabisit janë zbuluar nga avioni i Guardia di Finanzas që monitoron territorin shqiptar.

Bimët ishin rritur dhe janë pikasur menjëherë nga pajisjet e italianëve, të cilët kanë sinjalizuar policinë shqiptare.

Ky është rasti i pari që në një bazë ushtarake gjendet drogë e kultivuar, duke u shndërruar në një skandal politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë