Ana e errët

Shkollat, mjeti i ri i Erdogan për ndikim politik në Shqipëri

Ndoshta nuk keni dëgjuar kurrë për këtë, por Fondacioni Maarif është kthyer tanimë në një mjet të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për zgjerimin e pranisë së tij në Shqipëri... por jo të gjithë janë të kënaqur për këtë.

Në fillim të korrikut, qindra studentë dhe prindër u mblodhën për ceremoninë vjetore të diplomimit në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, një universitet privat shumë i vlerësuar në vendi tonë. Ndryshe nga institucionet e tjera arsimore, ky universitet e mbajti ceremoninë e diplomimit në Teatrin e ri Kombëtar gjatë të cilit u lexua edhe një mesazh të veçantë i dërguar nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

"Unë mbështes punën e fondacionit tonë në përmbushjen e nevojave arsimore të vëllezërve tanë dhe miqve shqiptarë", thuhej në mesazhin e Erdoganit.

Fondacioni Maarif u krijua në qershor të vitit 2016 nga Parlamenti turk si ofruesi i vetëm zyrtar i arsimit të mbështetur nga Turqia jashtë vendit. Sot Fondacioni Maarif krenohet me praninë e tij në 35 vende me gjithsej 294 institucione arsimore, shumica në Azinë Jugore, Afrikë dhe Evropën Juglindore.

Si një mjet i madh në diplomacinë turke, Fondacioni është gjithashtu një armë në betejën e Erdoganit për të shkatërruar rrjetin mbarëbotëror të institucioneve arsimore të armikut të tij të tij politik dhe njeriut për të cilin Ankaraja thotë se ishte pas një grushti të dështuar të shtetit në vitin 2016, klerikut Fethullah Gulen.

Maarif e bleu Universitetin e Nju Jorkut në gusht të vitit 2018. Për të festuar blerjen, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu mbajti një fjalim në hapjen e vitit akademik të universitetit.

Universiteti i Nju Jorkut, Gazeta Si, 4 shtator 2019

Por Fondacioni nuk u ndal këtu.

Në qershor, Maarif njoftoi krijimin e "Kopshtit të Fëmijëve në Shqipëri", një kopsht fëmijësh i ngritur mbi 2000 metra katrorë tokë bujqësore në një periferi të Tiranës duke ofruar "mësim të vërtetë në natyrë". Pastaj në korrik, njoftoi krijimin e një shkolle të mesme në qytetin e Elbasanit, e cila pritet të hapet në shtator.

Megjithatë, ekspertët thonë se shtrirja e këtij fondacioni nuk ka të bëjë me arsimin por me politikën për djegien e imazhit të Gulenit jashtë vendit.

"Me kaq shumë ndërhyrje arsimore, Maarif është më shumë fondacion politik," thotë Ermir Hoxha, një gazetar shqiptar që ndjek nga afër zhvillimet në Turqi. "Tani duhet të shihet nëse në këto shkolla, arsimi do të mbizotërojë mbi politikën."

Turqia ka pasur një ndikim të gjerë në arsimin në Shqipëri për dekada të tëra, qysh kur ish-Presidenti turk Turgut Ozal përuroi kolegjin e parë turk në Tiranë në 1993, dy vjet pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.

Kolegji "Mehmet Akif" shumë shpejt u bë një institucion elitar, shkolla e parë private në Shqipërinë post-komuniste që ofron arsim të një cilësie të lartë në gjuhën shqipe, angleze dhe turke.

Pas tij u hapën edhe një sërë kolegjesh të tjera turke, që punësuan mësues dhe administratorë që shiheshin si pasues të Gulen, i cili ishte fillimisht një aleat i Erdoganit.

"Elita shqiptare zgjodhi të edukojë fëmijët e vet në këto shkolla, pa pasur ndonjë dashuri kulturore ose fetare për Turqinë," tha Hoxha. "Ata as nuk e dinin kush ishte Gulen ose cila ishte fryma e organizatës së tij. Ata vendosën të zgjedhin këto shkolla për shkak të arsimit të cilësisë të lartë."

Presidenti Recep Tayyip Erdogan. Gazeta Si, 4 shtator

Sidoqoftë, Erdogan dhe Gulen u kthyen në armiq dhe në maj 2015, gjatë një udhëtimi në Tiranë, Erdogan iu referua organizatës së ish-aleatit të tij si grup ‘terrorist’ dhe raportohet se kërkoi mbylljen e shkollave të lidhura me të.

Qeveria shqiptare rezistoi. Por pas grushtit të shtetit të vitit 2016, shkollat e lidhura me Gulen dhe turqit që punonin për ta në të gjithë botën kanë qenë nën një presion të fortë për t'u ekstraduar në Ankaraa. Ndërkohë, Maarif filloi zgjerimin e tij.

Në korrik 2018, shkolla private ‘Udha e Shkronjave’ lëshoi një deklaratë për shtyp ku denoncoi atë që e cilësoi “agresion kulturor turk” përmes blerjes së shkollave shqipe.

Ajo njoftoi takimin e drejtorit të shkollës Artur Shkurti dhe shefit të përfaqësuesit të Maarif në Shqipëri, Fatih Cankurt, në të cilin Cankurt parashtroi dëshirën e Maarif për të blerë shkollën.

"Prania e Maarif - tha shkolla - thjesht zgjeron më tej praninë turke në jetën shqiptare. Ata e detyrojnë shoqërinë shqiptare të bëhet pjesë e problemeve dhe interesave të Turqisë."

Fondacioni Maarif Albania nuk maskon besnikërinë e tij politike.

Në faqen e saj në Facebook, ka postime, komente dhe pamjet në lidhje me puçin e dështuar të vitit 2016 së bashku me deklaratat e ambasadorit turk në Shqipëri kundër Gulen.

Ish-ministri i arsimit Genc Pollo thotë se në Shqipëri ekzistojnë rregulla të rrepta në lidhje me funksionimin e shkollave të drejtuara nga jashtë.

"Theksohet se shkollat duhet të ruajnë natyrën laike, të mos përfshihen në politikë, të mos nxisin racizëm, terrorizëm, antisemitizëm etj", tha ai. “Ato gjithashtu duhet të garantojnë orientimin dhe vlerat pro-evropiane dhe perëndimore, duke promovuar demokracinë dhe liritë individuale. Por përmbushja e këtyre rregullave kërkon vullnet politik”, tha ai.

Ndërkohë, Hoxha thotë se do të ishte joreale të pritet që Turqia të ndalojë promovimin e vlerave të saj kombëtare përmes shkollave të tilla.

"Në fund të fundit, gjithçka është në dorë të studentëve," tha ai. "Ata mund të vendosin të marrin nga shkollat e Fondacionit Maarif vetëm njohuritë shkollore ose të marrin gjithashtu frymën politike dhe kulturore të Turqisë së sotme."

Burimi: "Birn"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë