Presidenti Ilir Meta e nisi fundjavën me një postim nga zona bregdetare e Gjirit të Lalëzit, aty ku ka rezidencën e tij private, duke dhënë si përherë mesazhe të koduara.
“Mirëmëngjes nga Lalëzi! Edhe pse deti është zgjuar nervoz sot, shpresojmë të reflektojë dhe qetësohet më vonë”, shkruan Meta në postimin e tij në rrjetet sociale.
Një mesazh që paralajmëron atë që pritet të trazojë politikën shqiptare, qytetin bastion të demokratëve, Shkodrën.
Aktualisht Shkodra nga përplasja në nivelin lokal ka kaluar në atë qendror. Pas konstituimit të këshillit bashkiak, një javë më parë, beteja e dytë dhe më e vështira duket nëse do të ketë zgjedhje për kryetarin e ri të bashkisë për qytetin më të madh të veriut të Shqipërisë, i njohur si bastioni i demokratëve.
Nga mazhoranca bëjnë të ditur se shkresa për vakancën e krijuar nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit i ka shkuar presidentit Ilir Meta dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Burime të Gazeta “Si” pohuan nga Presidenca se shkresa e prefektit të Shkodrës, Çesk Millja nuk ka mbërritur ende. Por ata theksojnë se qëndrimi i kreut të shtetit është tashmë i qartë se nuk e njeh zgjedhjet e 30 qershorit, pasi anë të dekreteve ka anuluar atë atë, duke nxjerrë një datë të re atë 13 tetorit.

Pra, Presidenti do ta rezufojë të pranojë nxjerrjen e një dekreti të ri duke bërë që mazhoranca të tentojë ndonjë zgjidhje tjetër për këtë përplasje të re që pritet të ndizet në fillim të shtator.
Për çështjen e Shkodrës janë paraqitur disa skenare të ndryshme, ku mazhoranca mund të tentojë të shmangë Presidentin Meta, duke e kaluar këtë ccështje në tavolinën e KQZ-së. Anëtarët e KQZ-së mund të gjejnë zgjidhje për të realizuar zgjedhje mbi bazën e pavlefshmërisë.
Gjithsesi ky skenar do të fuste në lojë edhe Kolegjin Zgjedhor, pasi KQZ-së i nevojitet 5 votat e anëtarëve, gjë që duket e parealizueshme, pasi kryekomisioneri Klement Zguri pritet të jetë kundër.
Analistët dhe juristët si Afrim Krasniqi dhe Artan Lazaj, kanë pohuar për Gazeta “Si” se çështja e Shkodrës, duhet të zgjidhet vetëm nëpërmjet presidentit. Pra që kreu i shtetit i duhet të shpallë një dekret për një datë të re të zgjedhjeve. Kështu ata përjashtojnë një skenar tjetër që shmang Metën nga vendimmarrja e Shkodrës.

Gjithashtu Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar se KQZ-ja njofton presidentin për vakacën e krijuar dhe brenda 48 orëve, Meta duhet të nxjerrë një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie. Nëse nuk ndiqet këto hapa atëherë pritet të ketë një krizë të re politike dhe institucionale, e cila ka vetëm një emër “Shkodrën”.
Ky refuzim dhe konflikt do të nxiste mazhorancën që të përshpejtonte procesin e nisur në Parlament për shkarkim e kreut të shtetit, duke pretenduar se Meta me refuzimin e Shkodrës bën edhe një tjetër shkelje kushtetuese.
Nga ana tjetër opozita ka bërë të ditur se nuk e lëshon Shkodrën, kryebashkiakja Voltana Ademi, edhe pse i ka mbaruar mandati, shprehet se do të qëndrojë në detyrë deri se të vijë kryetari i ri bashkisë. Këtë qëndrim ajo e bazon te ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, por se mazhoranca mund të kapet te një tjetër nen po i këtij ligji, që pas 6 muajsh pa kryetar, këshilli bashkiak mund të zgjedhë një kryetar të përkohshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.