Politike

“Shkodra” dhe të tjerat, ku ndahen keq Rama dhe Bushati

Mentor Kasa - “Ne kemi pasur një diskutim sot në Partinë Socialiste!”. Me këto fjalë Ditmir Bushati nisi deklaratën e tij para gazetarëve në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së partisë mbrëmjen e së mërkurës. “Diskutim” është termi i moderuar që ish-ministri i Jashtëm zgjodhi për të përshkruar atë që burime të shumëfishta konfirmuan më vonë si një debat të zjarrtë mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama për situatën e krijuar në Shkodër pas dorëheqjes së detyruar nga ligji i dekriminalizimit të Valdrin Pjetrit.

Bushati tha se i ishte drejtuar Kryesisë me një letër. Thelbi i mesazhit të shprehur përmes kësaj letre ishte kërkimi i ndjesës para qytetarëve dhe sidomos shkodranëve dhe më pas marrja e përgjegjësive si forcë politike për përzgjedhjen e Valdrin Pjetrit si kandidat për Bashkinë e Shkodrës dhe reformimi i partisë.

Çfarë nënkupton Ditmir Bushati kur kërkon “trajtim agresiv të fenomenit”?

“Rrënjët e këtij fenomeni mendoj se kanë lidhje me nevojën për një reformë politike brenda partive tona. Një reformë politike që të sjellë një kulturë të re politike, një sistem të ri llogaridhënës ku PS është dhe duhet të jetë partia e intelektit, progresit dhe pse jo, partia e komuniteteve”, deklaron Bushati.

Që të dyja kërkesat të shprehura edhe në letrën, që ish-ministri i Jashtëm nuk e ka bërë publike ende, rrëzohen nga deklaratat e Edi Ramës dhe qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste. Kryeministri e ka përjashtuar kërkesën e ndjesës, duke deklaruar se nuk mund të mbajë “përgjegjësi për mollët e kalbura”.

Sa i takon kërkesës së reformimit të partisë, ajo mund të plotësohet pjesërisht, ndonëse Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla e shmangu termin “reformim” në deklaratën e bërë për media në përfundim të mbledhjes së Kryesisë. Ai foli për “rigjenerim” dhe “ringritje” me vëmendje të theksuar tek dega e partisë në Shkodër.

Më nuhatjen e diplomatit, Bushati paralajmëroi tërthorazi se rikthimi i elementëve me të shkuar problematike në radhët e partisë, rrezikonte që ta vendoste këtë forcë politike përballë partnerëve ndërkombëtarë, duke nisur që me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Një vendim i socialistëve që është përshëndetur nga Ambasada e SHBA në Tiranë ka qenë ai i largimit të Tom Doshit në mars të 2015-ës. Tre vite më vonë, mbi bazën e raporteve të kësaj ambasade, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpall Tom Doshin “non grata” me arsyetimin si “i përfshirë në afera korruptive të mëdha”.

Shkodra ka nxjerrë në sipërfaqe përplasjen Edi Rama-Ditmir Bushati. Gazeta Si, 29 gusht 2019

Por, çfarë e lidh Tom Doshin me përplasjen Rama-Bushati? Kryeministri Edi Rama refuzoi tre kandidatura të përfolura dhe të propozuara nga baza socialiste për kryetar bashkie në Shkodër dhe vendosi për Valdrin Pjetrin me dyshimet se kandidatura e përzgjedhur ishte sponsorizuar nga Tom Doshi.

Për të përforcuar këto dyshime shërbeu seanca e konstituimit të Këshillit të ri bashkiak më 19 gusht, ku i pranishëm ishte edhe deputeti Doshi, megjithëse jo nën siglën e PS, por nën siglën e aleates Partisë Socialdemokratike.

Afrimi i Tom Doshit dhe emrave të sponsorizuar prej tij ka qenë edhe pjesë e debatit me dyer të mbyllura në kryesinë e fundit të socialistëve. ReportTV thotë se në këtë mbledhje, ish-ministri i Jashtëm ka ngritur si shqetësim afrimin e “çunave problematikë” dhe mbrapsht ka marrë replikën e Kryeministrit Edi Rama.

“Tom Doshi është një realitet në Shkodër. Nuk është pjesë e PS, por i një force tjetër politike. Është aleat. Edhe nëse nuk të pëlqen Doshi, ai është një realitet, ka votat e tij. Tom Doshi nuk kërcënon vendin tuaj në parti”, citohet t’i jetë drejtuar kreu i Qeverisë Ditmir Bushatit.

Dallimi i fundit është se Bushati kërkon që PS të shmangë në të ardhmen përzgjedhjen si kandidaturë të emrave që i prek dekriminalizimi, ndërsa Edi Rama dhe i gjithë qëndrimi zyrtar i socialistëve është se “PS nuk mbron asnjë përballë ligjit”.

Kjo është ndasia e madhe mes Ramës dhe Bushatit. Ajo doli në sipërfaqe vetëm pas mbledhjes së fundit të kryesisë, por nën sipërfaqe po vlonte prej thuajse një viti, qëkur u hodh për diskutim në publik ideja e ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Bushati u rreshtua që në fillim kundër kësaj ideje, rreshtim që duket se i kushtoi edhe postin e kryediplomatit në fund të 2018.

Presidenti Meta nuk dekretoi Gent Cakajn si pasues të Bushatit dhe ky i fundit sfidoi Ramën duke mos e dhënë dorëheqjen, që do t’i hapte rrugë ushtrimit të kësaj detyre nga Gent Cakaj nga posti i zv.ministrit. Si zgjidhje, Rama gjeti marrjen e postit vetë dhe më pas delegimin e kompetencave tek Cakaj. Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës zyrtarisht tek kryeministri Edi Rama, Bushati nuk e fshehu pakënaqësinë.

“Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por një gjë është e sigurt: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes”, deklaronte ai.

Në mars, pak javë pas djegies së mandateve nga ana e opozitës dhe nisjes së procesit të zëvendësimit të këtyre mandateve, Bushati nga foltorja e Parlamentit dilte sërish kundër qëndrimit të Ramës që kërkonte dialog me opozitën e re në Parlament. Ai tha se opozita nuk mund të zëvendësohej, bëri thirrje për dialog dhe mes fjalëve që përdori ishte edhe “arroganca”, e njëjta fjalë me të cilën në atë kohë po sulmohej më fort Kryeministri për qëndrimin e tij këmbëngulës ndaj kërkesave të opozitës që kishte dalë në rrugë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë