Ngjarje

Shkodër, goditen dy raste të trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje, arrestohen 4 persona

Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, duke arrestuar 4 persona dhe proceduar penalisht një tjetër.

Në kuadër të operacionit të koduar “Sezoni”, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, u dokumentua veprimtaria e një grupi personash të dyshuar për shitje, shpërndarje dhe mbajtje të lëndëve narkotike.

Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit:

G. B., 20 vjeç, banues në Ktosh;

D. R., 20 vjeç, banues në Koplik;

K. P., 22 vjeç, banues në Lohë e Poshtme.

Ndërkohë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 34 vjeç.

Gjatë kontrolleve policia sekuestroi lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 5 telefona celularë. Në kuadër të të njëjtit hetim, gjatë muajve qershor dhe korrik 2026, janë arrestuar edhe 4 persona të tjerë.

Rasti i dytë u evidentua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, të cilat arrestuan në flagrancë një 18-vjeçar me inicialet A. P., banues në Pulaj-Plazh.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij u gjet një armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza.

Materialet për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë