Arsim

Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Durrës, programet që rrezikojnë të mos nisin këtë vit akademik

10 programe studime rrezikojnë të mos nisin vitin e ri akademik në universitetin e Shkodrës për shkak të numrit të ulët të studentëve. Nga 0 deri ne 6 regjistrime ka në degët e studimeve si Frëngjisht, Histori, Fizikë, Gjeografi, Gazetari, Biologji-kimi etj.

Rektorja Rajmonda Kçira, thotë se po pritet një udhëzim i ministrisë se si do të veprohet me degët që rrezikojnë të mos hapen.

“Risitë e këtij viti akademik janë tre programe të reja, normalisht që tërheqin më shumë studentë, ka infrastrukturë të përmirësuar dhe laboratore të reja.

Janë çregjistrimet këto dy ditë, dhe regjistrimet në datën katër. Deri tani janë 895 studentë të regjistruar. Mbi 100 janë në programe profesionale, risi kjo për universitetin.

Qeveria ka marrë masa për financimin e studentëve që regjistrohen.Unë shpresoj që do të ketë një zgjidhje. Për momentin jemi në fazën e regjistrimeve të reja.

Nuk flitet për mbyllje programi, flitet për aktivizim programesh. Asnjë nuk mundet të mbyllet. Shpresojmë për më të mirën!”, tha rektorja.

Ndërkohë në qytetin e Korçës dy programet e “Filozofi Sociologjisë” dhe “Ekonomiksit” të cilat nuk kanë asnjë student të regjistruar do të pezullohen, ndërkohë që senati akademik do të shqyrtojë rast pas rasti edhe disa programe të tjera të cilët kanë më pak se 10 studentë, për të vendosur nëse do të mbyllen ose jo.

Këtë vit në Korçë janë regjistruar për herë të parë 530 studentë.

Po ashtu 15 programe rrezikojnë të mos hapen këtë vit akademik në Universitetin e Elbasanit.

Janë programe që nuk konsiderohen të mbyllura por nuk hapen vitet e para.

Kjo sepse me ligj që një program të mbyllet duhet të ketë 0 studentë në të treja vitet e tij.

Edhe në Universitetin e Durrësit janë 3 programe të cilat rrezikojnë të mos hapen për këtë vit për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve, Guida turistike, Histori dhe Filozofi-Sociologji.

Edhe në Universitetin Ismail Qemali në Vlorë, Fakulteti i Shkencave Humane ka qenë një nga më të rrezikuarit për mbyllje të degëve.

Për të dyja ciklet e studimit master dhe bachelor, të paktë janë studentët që janë regjistruar në këto degë të Mësuesisë, Sociologjisë apo edhe të Media-Komunikimit, e cila është një nga degët më të reja që FShH ofron. Degët e mësuesisë kanë rënie, programe të historisë, gjeografisë, pedagogjisë së specializuar. Por drejtuesit e Universitetit besojnë se programe si Media-komunikimi, Trashëgimia kulturore dhe Guida turistike do të funksionojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë