Rend dhe Ligj

Shkodër, çmontohen 38 kamera sigurie në rrugë, përdoreshin nga grupet kriminale për të spiunuar rivalët dhe policinë

Gazeta Si – Në Shkodër janë zbuluar dhe çmontuar nga policia 38 kamera të tjera të instaluara në 3 lagje të frekuentuara të qytetit. Sipas policisë ato dyshohet të jenë vendosur nga grupe kriminale.

Policia thotë se ka çmontuar dhe sekuestruar kamerat, të dyshuara të lidhura me aparate të ndryshme celulare, të cilat u evidentuan të instaluara në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”, Shkodër. Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente.

Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Rreth 10 ditë më parë, u zbuluan 21 kamera në hyrje-daljet e lagjeve Kiras dhe Dobraç për qëllime kriminale, por edhe vëzhgimin e lëvizjeve të bluve.

Disa prej kamerave, sipas verifikimeve funksiononin prej dy vitesh. Grupi hetimor deri më tani dyshon se grupet kriminale kanë kontraktuar kompani të huaja nga jashtë vendit për t’i mirëmbajtur, më konkretisht nga Gjermania.

Kjo për faktin për të mos u gjurmuar nga ana e policisë, e cila ka kryer disa kontrolle për të gjetur serverat e pajisjeve monitoruese dhe kanë shoqëruar disa persona, por ende pa rezultate konkrete.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë