Ka ndodhur

Shkëputen bovat në portin e Durrësit, trageti me 129 pasagjerë nuk ankorohet dot në Vlorë

Moti i keq që ka përfshirë qytetin e Durrësit mbrëmjen e të hënës, ka krijuar anomali në orarin e nisjes së trageteve nga terminali i portit drejt Barit dhe Ankonës.

Tre tragete që ishin parashikuar të niseshin mbrëmjen e kaluar, janë nisur rreth orës 3 të mëngjesit të së martës ndërsa mbërritja nga Bari drejt Durrësit sipas autoritetit portual, pritet të jetë në orarin e parashikuar.

Për shkak të motit të keq në det, janë shkëputur bova kardinale perëndimore e cektinës të talbotit, si dhe bova e ujërave të lira në hyrje të kanalit të portit Durrës.

Kapiteneria paralajmëron lundërtarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lundrimit në këto zona, si dhe për praninë e objekteve të ngurta pluskuese që mund të ndodhen në det si pasojë e prurjeve të mëdha nga lumenjtë. Në një njoftim në faqen zyrtare, ai bën me dije se po punohet për riparimin e defektit të shkaktuar nga moti i keq.

Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme për lëvizjen e mjeteve të lundrimit në Vlorë. Për shkak të motit të keq, trageti i linjës, Vlorë-Brindisi e ka pasur të vështirë që të ankorohet në  port.

Ndërkohë pas shumë përpjekjeve ai arriti që të ankorohet, por ka këputur të gjitha litarët dhe doli sërish në radën e Vlorës në pritje të një përmirësimi të kushteve të motit, që sipas kapitenerisë pritet të jenë mbas orës 12.00.

Ndërkohë 129 pasagjerët, të cilët udhëtonin me këtë traget, nuk kanë mundur të zbresin duke qëndruar në det të hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë