Një provë klinike historike ka nisur me trajtimin e pjesëmarrësit të parë në një terapi gjenetike që synon të “rinovojë” qelizat e plakura, duke i bërë ato të sillen si qeliza më të reja. Kjo është hera e parë që një teknikë e tillë e riprogramimit qelizor testohet te njerëzit dhe po përdoret për trajtimin e glaukomës, një sëmundje e syrit që mund të çojë në verbëri.
Terapia bazohet në aktivizimin e tre gjeneve që kanë aftësinë të rikthejnë pjesërisht qelizat në një gjendje më të re, pa u hequr atyre identitetin dhe funksionin e specializuar. Shpresa e studiuesve është që kjo metodë të nxisë rigjenerimin e neuroneve të nervit optik, të cilat zakonisht nuk rigjenerohen tek të rriturit. Kompania amerikane Life Biosciences, që po drejton provën, njoftoi se pacienti i parë është trajtuar me sukses.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rreziqet mbeten të konsiderueshme. Edhe pse studimet te kafshët kanë dhënë rezultate premtuese, ekziston shqetësimi se riprogramimi qelizor mund të shkaktojë ndryshime të pakontrolluara dhe potencialisht kancerogjene.
Për këtë arsye, studiuesit kanë zgjedhur syrin si organin e parë ku do të testohet teknika, pasi komplikacionet e mundshme konsiderohen më pak të rrezikshme për jetën sesa në organe të tjera.
Metoda mbështetet në përdorimin e një virusi të modifikuar për të transportuar gjenet në qelizat e retinës. Për më tepër, aktivizimi i tyre kontrollohet nga antibiotiku doksiciklinë, duke u dhënë mjekëve mundësinë t’i ‘ndezin’ ose t’i ‘fikin’ gjenet sipas nevojës, si një masë shtesë sigurie.
Në studimet e mëparshme te minjtë, aktivizimi i këtyre gjeneve ka nxitur rigjenerimin e nervit optik dhe ka rikthyer pjesërisht shikimin. Tani, prova klinike do të përfshijë deri në 12 persona me glaukomë dhe më vonë edhe pacientë me NAION, një tjetër sëmundje e rëndë që dëmton nervin optik.
Shkencëtarët paralajmërojnë se është ende herët për të folur për “përmbysjen e plakjes” apo zgjatjen e jetës njerëzore. Aktualisht, qëllimi është trajtimi i një sëmundjeje të lidhur me moshën dhe vlerësimi i sigurisë së kësaj teknologjie.
Megjithatë, nëse rezultatet janë pozitive, kjo mund të hapë rrugën për trajtime të reja që një ditë mund të përdoren edhe për rigjallërimin e organeve të tjera të plakura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje