Shendet

Shkenca e vërteton: Dieta me pak yndyrna, mban larg kancerin e gjirit

Sipas një studimi të publikuar të mërkurën e kaluar, gratë që konsumojnë rregullisht ushqime me pak yndyrna dhe më shumë fruta dhe perime, kanë më pak gjasa të preken nga kanceri i gjirit sesa ato që konsumojnë ushqime që kanë yndyrë të larë.
Përfundimet nga analiza më e fundit e Organizatës së Shëndetit të Grave në SHBA, treguan se një dietë e rregullt, mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes së grave nga kanceri i gjirit. Studimet vëzhguese që janë kryer kohë më parë nuk kanë matur kohën, shpesh herë kanë përcaktuar një medikament të nevojshëm për këtë sëmundje, por asnjë nuk ka përfshirë shkakun nga vjen sëmundja.

“Rezultatet janë emocionuese dhe i inkurajojnë gratë për t’u kujdesur sa më shumë për veten e tyre,” tha Elisa Port, shefja e departamentit të kirurgjisë në spitalin "Sinai Mountain" në Nju Jork, e cila ishte e përfshirë në studim. “Kjo është një thirrje që gratë të ndërgjegjësohen. Ka diçka që mund të bëjnë, në vend që të rrinë edhe të presin sëmundjen,” shtoi ajo.

Studimi përfshiu më shumë se 48.000 gra që nuk kishin kancer gjiri, kur u regjistruan. Trajtimi i tyre zgjati rreth dy vjet dhe u krye në 40 qendra shëndetësore, në të gjithë vendet e Shteteve të Bashkuara. Një pjesë e tyre duhet të konsumonte dietën që ato përdornin zakonisht dhe pjesa tjetër duhet të përdorte një dietë me më pak yndyra, duke llogaritur yndyrat që përmbante çdo produkt që konsumonin. Ato duhet të përpiqeshin të zvogëlonin deri në 20 përqind të yndyrave që konsumonin, duke përdorur sa më shumë perime dhe fruta.
Sipas autorit kryesor të studimit Rowan Chlebowski të Institutit të Kërkimeve Biomedical në Los Anxhelos në Qendrën Mjekësore Harbour-UCLA, grupi i cili u përcaktua për të mos konsumuar yndyra nuk ja arriti qëllimit. Ata arritën të reduktojnë konsumimin e yndyrave me rreth 24.5 për qind nga 29 për qind që ishte përcaktuar. Anëtarët e grupit të cilët mbajtën regjim të rregullt humbën mesatarisht 3 për qind të peshës së tyre trupore, duke ulur kështu mundësitë për t’u prekur nga sëmundja.
Chelbowski tha se studimi tregoi se gratë mund të përmirësojnë shëndetin e tyre, vetëm duke bërë disa ndryshime modeste për atë që hanë.
“Gjithçka ka të bëjë me atë që hamë. Nuk duhet të ushqeheni me çdo gjë që ju del para. Kjo është mënyra që njerëzit ushqeheshin rreth 20 vjet më përpara, kur duhet të punonin më shumë se sa të kujdeseshin për vete,” shtoi ai.

Ndër të tjera autorët e studimit u shprehën se, grupi që përdori një dietë me shumë pak yndyra, kishte përdorur të njëjtat ushqime që konsumojnë pacientët të cilët vuajnë nga hipertensioni, e cila është përcaktuar për të trajtuar posaçërisht për të trajtuar presionin e lartë të gjakut.
“Studimi i ri është një tjetër “dëshmi” se sa ndikon mënyra e ushqimit në shëndetin tonë, por unë nuk do të rekomandoja një dietë të përgjithshme për të gjithë njerëzit, duke qenë se produktet reagojnë ndryshe në organizma të ndryshëm,” tha Neil Lynegar, një onkolog në Qendrën e Kancerit "Memorian Sloan Ketering".
“Shpesh herë në diskutimet e mia me pacientët, i parashtroj faktin se nëse ata konsumojnë më shumë ushqime me bazë bimore, më pak mish të kuq, të reduktojë konsumimin e alkoolit dhe të mbajnë nën kontroll peshën e tyre, nuk do të jenë të rrezikuar për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme,” shtoi ai.
Gjithashtu, ekspertët janë shprehur se studimi nuk ka parë vetëm efektin e dietës, për sa i përket sëmundjes së kancerit të gjirit. Për mes tij është vënë re edhe fakti se humbja e peshës në mënyrë graduale, është një faktor tepër i rëndësishëm për të mos u prekur nga një sërë sëmundjesh. Studimi u paraqit në takimin vjetor që mban Shoqëria Amerikane e Onkologjisë Klinike në qytetin e Çikagos, për të informuar të gjithë mjekët, se si të këshillojnë pacientët e tyre në bazë të dietës ushqimore. /The Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë