Interviste

Shkëmbimi i territoreve/ Bolton zbulon prapaskenat e takimit me Tony Blair

Diplomati amerikan John Bolton i cili ka shërbyer si këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e Donald Trump ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në një intervistë për Foreign Press Association.

Bolton thotë se nuk e ka sugjeruar një ide të tillë meqë sipas tij palët ishin duke e diskutuar vetë një modalitet të tillë. Por shton se më pas u bë e pamundur politikisht që të realizohej për shkak të kundërshtimeve.

Ish-ambasadori i SHBA-së në OKB ka zbuluar edhe një vizitë që i ishte bërë nga ish-kryeministri britanik Tony Blair. Bolton thotë se atë kohë Blair kishte shkuar për ta takuar dhe i kishte thënë se ka liderë që mbase mund ta bëjnë që një ide e tillë të funksionojë.

Por Bolton thotë se Blairit i ishte përgjigjur njëlloj siç kishte deklaruar ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, James Baker kur kishte folur për problemin Izrael -Arabi duke thënë se “ne s’mund ta duam paqen më shumë se vetë palët”.

“Shikoni, unë nuk e sugjerova vetë atë (shkëmbimin e territoreve, red). Ata po flisnin për atë. Dhe u dëshmua politikisht se u bë e pamundur. Fillimisht në Kosovë dhe më pas edhe në Serbi. Por Tony Blair erdhi më takoi për këtë dhe më tha se aktualisht kemi liderë që mbase mund ta bëjnë që kjo të funksionojë.

“Shumë njerëz nuk e pëlqejnë idenë e shkëmbimit të territoreve sepse mund të destabilizojë pjesë të tjera të Ballkanit. Pika kryesore që duhet pasur parasysh është se shkëmbimi i territoreve që po flitej mes Serbisë dhe Kosovës u ra dakord paraprakisht. Sa gjatë që nuk imponohet me forcë, shkëmbimi me pajtim të dyanshëm mund të ndodh gjatë gjithë kohës”, – thotë John Bolton.

Ai ka marrë si shembull se si kishte funksionuar ideja e shkëmbimit mes Kanadasë dhe Danimarkës për një ishull. Por drejtuesi i intervistës Ian Williams i kujton se problemi mes Kanadasë dhe Danimarkës ka qenë për një ishull të pabanuar ndërsa veriu i Kosovës është i banuar me shumicë serbe. Bolton thotë se ishin europianët që nuk e kanë pëlqyer idenë e shkëmbimit të territoreve ndërsa shton se SHBA duhet ta mbështesin pasi rithekson se mendon se është diçka e drejtë.

Bolton foli edhe për ndërhyrjet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij SHBA nuk ka qenë mjaftueshëm e angazhuar në këtë rajon.  

Në vitin 2018, presidenti i Kosovës i saj kohe, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaruan gatishmërinë e tyre për të shqyrtuar një shkëmbim territorial mes dy vendeve. Kjo u mbështet edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama, një aleat i njohur i politikave të Thaçit.

Ndërsa Tony Blair është gjithashtu një këshilltar i Ramës. Por në atë kohë ideja zgjoi kundërshtime të forta në Prishtinë, Tiranë, por edhe në Bruksel dhe kancelaritë europiane. Pas arrestimit të Hashim Thaçit dhe dërgimit të tij në Hagë, ideja mori fund


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë