Ana e errët

Shkeljet e komisionerëve në Shijak pritet të vërtetohen edhe në Laç dhe Lezhë

Në fshatin Shetel, 12 kilometra larg Shijakut 22 banorë që jetojnë në emigracion dhe të cilët prej vitesh nuk e kanë prekur tokën shqiptare, iu drejtuan kutive të votimit dhe votuan në fshatin e tyre. Ky fakt u bë publik nga hetimi i SPAK mbi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, që vazhdojnë të hetohen nga prokurorët e posaçëm në dosjen e njohur si 339. Komisionerët e qendrës së votimit në këtë fshat me numër 1508 u identifikuan nga ballafaqimi i dokumenteve të administruara gjatë këtyre muajve për krim zgjedhor. SPAK deklaron se Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda dhe Redi Hysa lejuan me dashje persona të tjerë që janë paraqitur në emër të votuesve të tjerë, një shkelje kjo që sipas kodit konsiderohet si votim më shumë se njëherë. Përmes skemës së emigrantëve edhe komisionerët e qendrës së votimit numër 1335 në fshatin Rubjek, sërish në Bashkinë Shijak kanë shkelur detyrën. Kjo shkelje ndodhi ne qendrës e votimit të vendosur në kopshtin e fshatit dhe ku rezultojnë të kenë votuar 7 persona, të cilët rezultojnë të larguar prej vitesh sipas këqyrjeve të sistemit TIMS.

11 nga të dyshuarit mes tyre jo vetëm për këtë skemë, por edhe për dosje të bashkangjitur u lanë në burg. Njëri nga votuesit që ka votuar disa herë në emër të emigrantëve është Armelin Zeza, që përmes emrave të tjerë edhe pse njihej nga komisionerët ai është lejuar të votojë. Por burime shumë të sigurta pohojnë për gazetën Si se e njëjta skemë pritet të konfirmohet se është përdorur edhe për zgjedhjet në kryeqytet, në Laç dhe në Lezhë. Së paku këto janë të dhënat e deritanishme, pas një sërë veprimesh që po kryhen dhe ku po priten përgjigje për të tjerë shtetas që kanë votuar disa herë , duke përdorur jo vetëm identitetin e emigrantëve por edhe të të sëmurëve.

Heroina e Hasit, si u morr makina nga Papa Rent

Heroina e Brenogës vazhdon të  nxjerrë emra të tjerë. Fisnik Sadiku Smaili u la nën arrest nga gjykata për trafik të narkotikeve duke iu bashkuar emrave të tjerë  si Admir Hoxha ende në kërkim, Hekuran Hoxha, Xhevit Shuti, apo edhe shtetasit turq që bashkëpunuan me shqiptarë për të ngritur një laborator droge nga ku u bllokua 182 kilogramë heroinë. Edhe i arrestuari i fundit u zbulua nga një sërë gjurmësh hetimi i të cilave nuk dihet se përse ka avancuar kaq ngadalë për sa kohë, emri i të arrestuarit, u zbulua që në hetimet paraprake pasi u tradhtua nga një makinë e bllokuar që ai e kishte marrë për ta përdorur nga një kompani makinash me qira. Burimet janë të bindura se dosja e Brenogës ka ende emra të tjerë që bëjnë pjesë në rrjetin ndërkombëtar të heroinës dhe që përfshin Turqinë, Kosovën dhe Shqipërinë, mes tyre edhe biznese thanë burime të sigurta të gazetës Si. Siç rezulton nga dosja që gazeta Si disponon edhe zbulimi i laboratorit sikurse edhe çështja e zgjedhjeve, përgjimet që vazhdojnë të zbardhen duket se kanë zbuluar disa episode që nisin nga Shijaku dhe përfshijnë emra të botës së krimit. Edhe për laboratorin që nuk u zbulua, u konstatua se Saimir Gjepali fliste në telefon me Hekuran Hoxhën dhe ky i fundit me Admir Hoxhën, biznesmenin që vazhdon të jetë në kërkim megjithë vitet që po ikin. Pikërisht mbi bazën e dyshimeve dhe përgjimeve të mëtejshme u zbulua se biznesmeni priti e takoi dy shtetas turq e kosovarë Iskender Saleh dhe Nedjet Cesurugulu  si dhe Xhemal Sala – përshkruhet në dosjen që gazeta Si disponon. Pas këtij takimi ata udhëtuan drejt Kukësit. Ata bashkëpunuan për të sjellë lëndën e parë.

Ndonëse Prokuroria e Posaçme dërgoi nën akuzë muaj më parë për prodhimin e heroinës, ndërsa biznesmeni Admir Hoxha kishte përgatitur ambientin dhe laboratorin në një fshat që gjendet në kufi me Kosovën, tek një familje në pamundësi ekonomike. I arrestuari i fundit sipas burimeve të sigurta të gazetës Si është përdorues  i automjetit tip volksvagen me targa AA 6600 C të bllokuar gjatë aksionit në banesën e kthyer si laborator. “Në këtë automjet u gjetën kuti me natriban, si dhe katër gjurmë papilare të vlefshme për identifikim”, përshkruhet më tej në dosje. Në banesë janë gjetur gjithashtu edhe automjete të tjera pronë e shtetasve Shkëlqim Saraçi, ndërsa dokumentet zbuluan se i arrestuari i fundit e kishte marrë në përdorim makinën nga firma papa rent. Në banesën e laboratorit që i përket familjes Shuti u gjetën 161 pako të mbështjella, si dhe fatura shitjeje edhe në emra të shtetasve të tjerë turq që vazhdojnë të jenë nën hetim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë