Lajme

Shkarkohet Ylli Gurra, myftiu që akuzoi se në KMSh u katapultuan gylenistët

Pak muaj pasi humbi zgjedhjet për kryetar të Komunitetit Mysliman Shqiptar, përballë Bujar Spahiut, Ylli Gurra humbet edhe postin e Myftiut të Tiranës. Gurra është larguar nga ky post, që nga tani e në vazhdim do të mbahet nga Lauren Luli.

Luli është prezantuar nga vetë kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu para imamëve të xhamive të Tiranës, gjatë një takimi të zhvilluar në selinë qendrore të komunitetit. KMSH thotë se Spahiu vlerësoi punën dhe përkushtimin e Ylli Gurrës, por se zëvendësimi i tij në këtë post bëhej për t’i dhënë një tjetër shtysë Myftinisë së Tiranës.

Zgjedhjet për kreun e ri të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbajtura në muajin mars ndezën një përplasje të brendshme në këtë institucion. Qetësia e procesit zgjedhor u prish në fund të garës, pasi myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili mori 26 vota e ka cilësuar procesin si farsë.

“Kemi një farsë të organizmit të zgjedhjeve në këtë mënyrë – tha Gurra. – Kërkova shtyrjen e votimit për arsye të takimeve dhe ankesave të qytetarëve. U vërtetua se përkundër dëshirës time të zjarrtë për të drejtuar një KMSH për shqiptarët, sot jemi para një fakti të një kapjeje të institucionit. Më lejoni të flas me shqipen e Naim Frashërit. Kryetari i KMSH nuk mund të zgjidhet nga organizma okultë. U imponua një titullar që nuk ka bërë asgjë në komunitet. Humbje të tëra pronësie”, – shtoi ai.

Ai shkoi edhe më tej me akuzat për zgjedhje farsë, duke thënë se KMSH tashmë është kapur nga Gylenistët.

“Ndiej detyrim qytetar dhe besimor që nën presionin e atëhershëm, sot ju imponua myslimanëve një titullar. Në 5 vite nuk kemi parë asgjë (nuk kam asgjë me atë si person). Komuniteti ka humbur pronat, nuk ka bashkëpunuar me myftininë e Tiranës, por edhe të tjerat. Edhe ato pak të ardhura kanalizohen jashtë objektivave. Dërgesat kalojnë pa transparencë nga kryesia, – u shpreh Gurra. – Ajo çka përmenda, organizëm okult, ata të cilët i kanë imponuar komunitetit mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve dhe disa myftinive dhe Shoqërisë Civile dje katapultuan titullarin. Kjo organizatë dihet publikisht. Gylenistët apo Kemalistët nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarje dhe të tilla katapultime në krerët myslimanë të këtij vendit”.

Në fund, Gurra mohoi që të dorëhiqet nga posti i Myftiut të Tiranës. “Komuniteti nuk është peng i askujt, as i ndonjë qeverie. Në ditët e ardhshme do të ketë zhvillime. Nuk kam arsye që të jap dorëheqjen nga pozicioni i myftiut të Tiranës. Unë jam shqiptar, jam mysliman, ushtari i askujt, as në Anadoll, as në një vend. I shërbej vendit tim pa asnjë ndikim nga okultët”, tha Gurra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë