Bota

Shkarkohet Gabriel Escobar? DASH: Lajm i pavërtetë. Merr detyrë tjetër në javët në vijim 

Nga Gazeta ‘Si’- Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar se emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka shërbyer si diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm për tri vite, pritet të marrë detyrën e tij të ardhshme në javët në vijim. 

DASH hodhi poshtë dhe i konsideroi si të rreme pretendimet e publikuara në një web-faqe ku thuhej se Gabriel Escobar është shkarkuar nga pozita e tij.

“Si të gjithë zyrtarët e karrierës që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm, Escobar do të ndërrojë detyrën e tij me rotacion, çdo katër vjet, si një praktikë e rregullt. Deri në tranzicionin e tij të planifikuar, ai do të mbetet në detyrën si zëvendësndihmëssekretar dhe emisar special për Ballkanin Perëndimor”, theksoi DASH. 

Nga DASH-i kanë thënë po ashtu se pronari i webfaqes “Frontliner”, Vudi Xhymshiti “ka bërë një sërë qëndrimesh online për zëvendësndihmëssekretarin Gabriel Escobar që janë gjithashtu vërtet të rreme”

Në fund të përgjigjes, DASH theksoi se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE si rrugë për të arritur paqe dhe një raport produktiv në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu deklaroi se Washingtoni zyrtar është në një linjë me partnerët europianë dhe do të vazhdojë të luajë rol aktiv në përkrahje të dialogut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë