Anëtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, nuk ka arritur të kalojë procesin e Vettingut. Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, që përfaqësohej nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Firdes Shuli, pas analizimit të kritereve të vlerësimit, vendosi të shkarkojë nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca.
Tom Ndreca rezulton se nuk justifikon 1.3 milionë lekë nga pasuritë e tij.
Një shumë për të cilën Tom Ndreca ka këmbëngulur se nuk i janë llogaritur të ardhurat e tij nga viti 1980 e në vijim. Blerja e shtëpive nga gjyqtari dhe familja e tij u konsideruan të deklaruara saktë, por organet e vettingut mendojnë se harresa e djalit të gjyqtarit për të deklaruar vite më parë një automjet është fshehje.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kishte vendosur në pozitë të vështirë gjyqtarin, duke e deklaruar me figurë të papërshtatshme, përderisa kunati i tij është arrestuar vite më parë me një cigare hashash, por hetimet janë pushuar sepse ai rezultoi përdorues. Për këtë fakt, kunati i gjyqtarit konsiderohet nga KPK-ja si krim i organizuar. Një person i arrestuar për 0.44 gramë hashash konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar, edhe pse ligji e sanksionon qartë se cilët persona janë pjesë e krimit të organizuar.
Tom Ndreca është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike në degën e Drejtësisë në vitin 1980. Për një periudhë 4-vjeçare, ai ka punuar si prokuror gjyqësor dhe prokuror rrethi në Mirditë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.