Politike

Shkarkimi i Metës/ Venecia merr në pyetje politikën: Ç’do të ndodhë më pas?

Opinioni që do të japin në tetor konstitucionalistët e Komisionit të Venecias mund të mos zgjidhë krizën e thelluar politike shqiptare, por mund të jetë një gur i rëndësishëm kilometrik drejt zgjidhjes së saj. A mundej Presidenti Ilir Meta të zhdekretonte datën e zgjedhjeve vendore, të dekretuara po prej tij? Kësaj pyetje do t’i japin përgjigje juristët e huaj, të cilët i nisën sot misioni e tyre faktmbledhës që në 8 të mëngjesit me takimet me politikanët dhe zyrtarët shqiptarë. Fillimisht ata takuan përfaqësuesin e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe atë të LSI-së, Klajda Gjosha.

“Diskutuam një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE. Qeveria do duhej të fokusohej në plotësimin e kushteve për marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave, ne merremi me një çështje të rëndë, që është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen, për të mbuluar raportin e OSBE-ODIHR, që tregon qartë se në Shqipëri zgjedhjet janë pa standarde. Parlamenti dhe mazhoranca kërkojnë të bëjnë politikë me çdo gjë”, u shpreh Gjosha.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/526854344726678/?t=25

Pas takimit ish-deputeti Bylykbashi deklaroi për mediat se Kushtetuta e thotë mjaft qartë se kush e shkarkon Presidentin dhe se Parlamenti kërkon që të fusë në këtë lojë të turpshme dhe institucionet ndërkombëtare. Sipas Bylykbashit, presidenti Meta me dekretet e tij u përpoq të ruajë unitetin dhe pluralizmin në Shqipëri.
“Kushtetuta është e qartë, Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese nëse ka shkelur Kushtetutën. Presidenti është përpjekur të garantojë unitetin e popullit dhe pluralizmin në Shqipëri. Kjo është një nga detyrat fisnike që duhet të luajë dhe ka luajtur Presidenti. Parlamenti po përpiqet që të shkarkojë Presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare që janë të qarta në lidhje me këtë”, u shpreh Bylykbashi.

Gjosha e Bylykbashi duke folur pas takimi me ekspertët e Venecias


Përfaqësuesi i mazhorancës parlamentare, Taulant Balla pas takimit me ekspertët e Venecias u shpreh se socialistët janë të vendosur ta çojnë përpara punën e komisionit hetimor. Përmes një postim në Twitter, Balla ka shprehur mirënjohjen e tij për gatishmërinë dhe mendimin e Komisionit të Venecias lidhur me rastin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta. “Mirënjohës Komisionit të Venecias për gatishmërinë e tyre për të dhënë mendim në Parlamentin shqiptar. Një procedurë e fajësimit të Presidentit po ecën përpara në një rast të shkeljes së rëndë dhe arbitrare të Kushtetutës”, shkruan Balla.

https://twitter.com/taulantballa/status/1171391417287135232

Më pas takimet e juristëve të Venecias vijuan me opozitën parlamentare, me drejtuesit e grupeve parlamentare, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni, si dhe me deputetët e tjerë si Lefter Maliqi, Adriatik Alimadhi dhe Myslim Murrizi. Kriza politike ka qenë në fokusin e takimeve me deputetët e opozitës, por edhe më pas me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.


“Pyetjet që ata bënë nuk ishin më shumë pyetje teknike, por ishin politike se çfarë do të ndodhë. Edhe njëherë dua të them se ne vazhdojmë të jemi sa më konstruktivë si opozitë parlamentare dhe shikojmë se çdo aktor, i të gjitha palëve, mundohet të japë versionin e tyre se çfarë po ndodh. Por në fund, do të jetë delegacioni që do të japë një opinion për atë se çfarë po ndodh”, u shpreh deputetja Hajdari pas takimit.

Ekspertët e Venecias në takim me opozitën parlamentare


Edhe deputeti Ralf Gjoni konfirmon se pyetjet e anëtarëve të delegacionit të Komisionit të Venecias ishin më shumë politike. Gjoni tregon se e informoi delegacionin për çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta, e cila sipas tij, ka nisur me një përshpejtim të panevojshëm.
"Anëtarët e Komisionit të Venecias kishin pyetje me natyrë politike. Kjo do të thotë që ata marrin në konsideratë situatën në kontekstin aktual dhe rrëmujën politike në të cilën gjendet vendi gjatë procesit të hartimit të opinionit të tyre. Ai kam bërë të ditur se për sa i përket çështjes së shkarkimit të Presidentit është një procedurë e komplikuar që ka nisur me përshpejtim të panevojshëm në një kontekst politik problematik për Shqipërinë", tha deputeti Gjoni.

Ekspertët e Venecias në takim me opozitën parlamentare

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka qenë tepër i rezervuar për të zbuluar rreth bisedimeve për këtë takim me ekspertët e Venecias. Sipas njoftimit për shtyp mësohet se Ruçi vlerësoi gatishmërinë e angazhimit të Komisionit të Venecias, me gjithë kohën e shkurtër të adresimit të kërkesave; seriozitetin e vizitave të ekspertëve të Komisionit në Shqipëri, si edhe cilësinë e lartë të raporteve paraprake dhe përfundimtare të opinionit të Komisionit. Gjithashtu bëhet e ditur se Kryeparlamentari mësohet se ka bashkëbiseduar me anëtarët e komisionit edhe për disa aspekte të situatës politike në Shqipëri. Kuvendi i Shqipërisë ka përfituar dhe nga opinionet që Komisioni ka adresuar për vende e tjera anëtare të Këshillit të Europës.

Ruçi në takimin me ekspertët e Venecias

Pas takimit me numrin dy të PS-së, Gramoz Ruçi dhe anëtarët e komisionit hetimor parlamentar, pesë ekspertet e Venecias morën rrugën drejt Presidencës për t’u takuar me kreun e shtetit, Ilir Meta.

Presidenti Meta u mjaftua vetëm një postim të thjeshtë mbi takimin me ekspertët e Venecias, duke dhënë edhe një mesazh paraprak. “Kënaqësi të prisja sot një përfaqësi të Komisionit të Venecias. Nëse do ishin respektuar rekomandimet e tyre në të kaluarën, Shqipëria kurrë nuk do të ishte në këtë situatë”, shkruan Meta.

Meta gjatë takimit me ekspertët e komisionit e Venecias


Për herë të parë në historinë e funksionimit si institucion, Komisioni i Venecias do të japë ekspertizën e vet mbi mënyrën e "shkarkimit të Presidentit për një shkelje të rëndë të Kushtetutës". “Venecia” vetëm një çështje ka trajtuar sa u përket kompetencave të presidentit, dhe ai është për rastin e Moldavisë në vitin 2017, ku vetë presidenti moldav kërkoi që të merrte ekspertizën juridike mbi zgjerimin e kompetencës që kërkonte për shpërndarjen e Parlamentit.
Raporti i Venecias, ai paraprak, për kërkesën e paraqitur për shkarkimin e Metës, pritet të dalë në datën 10-11 tetor. Kjo mund të kërkojë edhe shtyrjen e afatit të komisionit hetimor, i cili mbaron më 8 tetor të këtij viti.

Delegacioni i komisionit të Venecias udhëhiqet nga Kaarlo Tuori nga Finlanda, anëtar i Komisionit të Venecias. Anëtarët e tjerë janë  Grainne Mcmorrow nga Irlanda,  Schnutz Rudolf Dürr,  kreu divizionit për Çështjet Kushtetuese si dhe Thomas Markert, sekretar pranë këtij Komisioni. Markert nuk është një emër i panjohur për vendin tonë. Ai ka marrë pjesë në hartimin e Kornizës Kushtetuese për Kosovën, Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën Kushtetuese të Serbisë dhe Malit të Zi, propozime për të ndryshuar Kushtetutën e Dejtonit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ligjin special për referendumin për pavarësinë në Mal të Zi.

Delegacioni i Komisionit të Venecias në Tiranë

Kaarlo Tuori-Drejtues i delegacionit

Grainne Mcmorrow- Juriste ndërkombëtare

 Schnutz Rudolf Dürr- Kreu i divizionit për Çështjet Kushtetuese

Thomas Markert- Sekretar i Komisionit të Venecias

AXHENDA E PLOTË

08:00-08:55- Takim me përfaqësues të LSI dhe PD

09:00 – 09:55- Takim me përfaqësues të mazhorancës

10:00 – 10:55- Takim me deputetë të opozitës parlamentare

11:00 – 12:00- Takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi

12:10 – 13:05- Takim me presidentin Ilir Meta

14:30 – 15:20- Takim me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj

15:30 -  16:30- Takim me kryeministrin Edi Rama

16:40– 17:35- Takim me përfaqësues të KQZ

17:40 –18:15- Takim me anëtaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë