Shendet

Shkaqet e humbjeve të jetës me dy doza vaksine edhe pse në shifra shumë të ulëta. Rritet numri i grave shtatzënë dhe fëmijëve të infektuar

Prej tre ditësh ka pasur një rritje të fataliteteve në spital ndryshe nga dy javë më parë. Njëkohësisht janë rritur edhe shtrimet duke pasur vetëm 30% të shtretërve të lirë në spitalet "Covid1" dhe "Covid3".
Gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, mjeku infeksionist Dhimitër Kraja theksoi se mes 230 pacientëve të shtruar ka nga të gjitha moshat nga 19 deri në 89 vjeç. Mjeku theksoi ishte se “është rritur numri i grave shtatzëna të infektuara në spitalet Covid një pjesë e të cilave janë dhe me forma serioze”.
Kraja shtoi se ka pasur fatalitete mes personave të vaksinuar, por numri i tyre është shumë i ulët. Siç thotë Kraja praktikisht janë 0.00.6% e numrit të të shtruarve.
“Rreth 5% e rasteve në spital janë të vaksinuar dhe shumica e tyre janë të vaksinuar me një dozë (85%) dhe një pjesë shumë e ulët me dy doza (15%). Në këndvështrimin tonë, fatalitetet tek te vaksinuarit kanë ndodhur për tre arsye; sepse personi nuk ka arritur imunitetin e duhur dhe kjo kryesisht te pacientë që kanë marrë 1 dozë vaksine, sepse kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese të vështira, sepse ka ndikuar faktori gjenetik për mënyrën se si reagon organizmi,” shton Kraja.

Dhimitër Kraja

Më tej mjeku shpjegoi se të shtruarit janë kryesisht nga Tirana, Durrësi, Elbasani. Sipas Krajas, më së shumti mbizotëron mosha 50-60 vjeçe mes të shtruarve. Rreth 95% e rasteve janë të pa vaksinuar. Sa i përket formave klinike, rreth 63% e rasteve paraqesin forma të mesme, 24 % janë forma të rënda dhe 13 % forma kritike dhe 13 persona janë të intubuar.
Gjatë mbledhjes së Komitetit të Ekspertëve një tjetër problematikë që u evidentua ishte edhe rritja e incidencës së infektimeve tek fëmijët. Shefja e Shërbimit të Pediatrisë Gjerogjina Kuli, tregoi se fatmirësisht fëmijët nuk paraqesin komplikacione të shumta. Kuli ka theksuar se deri më tani nuk ka fëmijë që kanë paraqitur komplikacione post-Covid.
“Fëmijët ranimohen brenda disa ditësh dhe na kanë dhënë mundësi të mos kalojmë kapacitetet spitalore. Fatmirësisht shifrat e fatalitetit mbeten po ato që kemi dhënë para një viti,” shtoi më tej mjekja Kuli.

Gjeorgjina Kuli

Ekspertët e Komitetit Teknik gjithashtu shpjeguan se me vaksinimin ka rënë incidenca e rasteve dhe fuqia goditëse e sëmundjes së koronavirusit.
“Incidenca e rasteve që janë vaksinuar dhe kalojnë sëmundjen është 22 herë më e ulët me atë të rasteve që nuk janë vaksinuar. Kjo tregon vlerën që ka vaksinimi. S’po themi se Delta ‘thyen’ vaksinimin, por përhapet më shpejt dhe kërkon vaksinim. Vaksina të mbron jo vetëm ndaj infeksionit,” tha Silva Bino, shefja e Infektivit në ISHP.
Ndër të tjera kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli shpjegoi se është në dorë të Komitetit të Vaksinimit dhe Imunizimit që të përcaktojë nëse është e nevojshme të përdoret një dozë e tretë tek personat mbi 60 vjeç dhe të aplikohet vaksina tek fëmijët nga mosha 12 vjeç. Sa i përket dozës së tretë të rekomanduar nga Akademia e Shkencave, për moshat mbi 60 vjeç, ajo tha se vendimi i takon Komitetit të Eksperteve të Vaksinimit.
“Pra i takon këtij komiteti ky vendim. Se ka prezantuar një vendim të tillë deri tani. Vaksinimi i fëmijëve është diçka që po bëhet në disa vende të botës, por jo në të gjitha vendet pasi siç ka argumente për ta bërë, ka dhe për mos ta bërë,” shtoi Rakacolli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë