Ka ndodhur

Shiu shkakton trafik të rënduar në Tiranë. Pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe peshkimit në Vlorë nga moti i keq

Kryeqyteti është përfshirë nga një trafik i rënduar mëngjesin e kësaj të enjteje, Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme të mëdha me qarkullimin. Akset kryesore të kryeqytetit janë bllokuar për t’i lënë vendin radhëve të gjata të automjeteve.

Probleme janë raportuar në hyrje të Tiranës, nga zona e Treshit deri pranë “Pallatit me Shigjeta”, Unaza, rruga "Dritan Hoxha" në hyrje të Tiranës, ish-Stacioni i Trenit, rruga "5 Maji", Rruga e Dibrës dhe "Xhanfize Keko". Radhë të gjata edhe nga rrethrrotullimi i Saukut deri tek Ekonomiku.

Që në orët e para të mëngjesit, Shqipëria është përfshirë nga reshje shiu, që në disa zona kanë qenë me intensitet më të lartë. Nga raportimet bëhet me dije se nuk ka probleme, pasi reshjet nuk kanë shkaktuar përmbytje.

Po ashtu dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se të gjitha segmentet janë të hapura dhe nuk janë shënuar probleme. 

“Kontraktorët me mjete dhe me punëtorë janë në terren dhe kanë bërë pastrimin e akseve nga rënia e gurëve dhe inerteve. Përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë”, thuhet në një njoftim të ARRSH-së.

Si pasojë e kushteve atmosferike në Vlorë, është urdhëruar ndalimi i lundrimit të mjeteve të vogla dhe i atyre të peshkimit për këtë të enjte dhe për të premten, 8 tetor.

Era e fortë në qytetin bregdetar, ka bërë që deti të jetë i trazuar me dallgë të larta, që mund të rrezikojnë jetën e peshkatarëve apo të personave që lundrojnë me mjete të vogla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë