Lojëra me Dore

Shiti raketën e thyer të Serena Uilliams 500 dollarë, ja sa vlen tani!

Edhe një raketë tenisi e thyer mund të ketë vlerë, shumë madje, nëse atë e ka përdorur në një ndeshje zyrtare amerikania Serena Uilliams. Ajo raketë e thyer në “Us Open 2018”, ka historinë e saj.

Ishte ndeshja kundër Naomi Osakës, seti i dytë i saj. Tenistja amerikane u nervozua keq me gjyqtarin Karlos Ramos për një ndëshkim që mori gjatë ndeshjes, pasi ai konstatoi se sportistja ishte konsultuar me trajnerin, diçka e ndaluar në kompeticione të tilla. Debatoi ashpër me gjyqtarin, duke e quajtur gënjeshtar dhe hajdut dhe më pas erdhi ndëshkimi tjetër për atë gejm, që e çoi Osakën në avantazhin 5-3. Në atë moment, raketa e Serena Uilliams u bë copë nga nervat dhe ajo ia dhuroi një djaloshi që mblidhte topat gjatë ndeshjes. Këtë fat e pati Xhastin Arrington-Holmes, i cili e shiti për 500 dollarë në një dyqan në Nju Jork.

Serena Uilliams debaton me gjyqtarin në Us Open 2018". Gazeta Si, 19 nëntor 2019

U ble më pas nga një i apasionuar pas tenisit dhe tani ai ka vendosur ta nxjerrë në ankand. “Tani që e mendoj, - thotë Holmes, - do të kisha bërë mirë të konsultohesha me dikë. Në atë kohë thjesht doja ta hiqja dhe e shita për 500 dollarë”. Mbledhësi i topave ka bërë shumë gabim, sepse tani ajo raketë ka vlerë shumëfish më të madhe. Në ankandin që do të organizohet nga “Goldin Auctions”, ajo do të ketë çmimin fillestar prej 2000 dollarësh, por shitja patjetër do të jetë shumë më e madhe. “Nuk do të jetë aspak habi, nëse ajo raketë do të shitet për 50000 dollarë”, - ka thënë Ken Goldin, themeluesi i shtëpisë së njohur të ankandeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë