Ngjarje

Shitësi denoncon policët bashkiakë: Më stresojnë me kontrollet

Pasi ia sollën në majë të hundës, një shitës fruta perimesh në kryeqytet ka vendosur në pozitë të vështirë policinë bashkiake që sipas tij e tejkaloi masën. Shitësi ambulant, i cili ka një dyqan në afërsi të Kombinatit  pretendon para njësisë antikorrupsion në Drejtorinë e Policisë së Shtetit se disa policë bashkiakë e kanë diskriminuar dhe stresuar me kontrollet e herëpashershme vetëm në dyqanin e tij. Megjithatë, Policia e Shtetit dyshon paraprakisht se policët bashkiakë nuk kanë qenë në tejkalim të detyrës, përderisa ata po kujdeseshin për shëndetin e qytetarëve gjatë pandemisë thotë një burim zyrtar i gazetës “Si”.

“Ata vinin befas vetëm në dyqanin tim, përherë i shpjegoja, por ata nuk shkonin dhe te të tjerët”, u tha para antikorrupsionit Y.A që ushtron veprimtarinë e prodhimit dhe shitjes së brumrave dhe të fruta-perimeve.

Sipas një burimi pranë Policisë së Shtetit të gazetës Si,  shitësi këmbëngul se përveçse kishte dyqanin në Kombinat, ai zotëronte dhe kishte dhënë me qira pak metra më tej edhe një lokal. “Por nga pandemia lokali u mbyll, ndaj dhe fillova ta përdor duke zhvendosur aty fruta-perimet rrëfen kallzuesi.

Shitësi sipas burimeve të gazetës “Si” vendosi që të jetë në rregull me insitucionet ndaj edhe aplikoi për një nipt sekondar, por askush nuk ktheu përgjigjje. “Unë respektoj rregullat e distancimit kundër covid, por përkundrazi përditë policët bashkiakë kontrollojnë vetëm ambjentin tim dhe jo të të tjerëve”, thekson shitësi që pretendon dhe dyshon se e gjitha kjo ka ndodhur për shkaqe korruptive. “Kjo është një formë e hapur presioni që të mbyll dyqanin dhe ka si qëllim përfitimin personal”, akuzon qytetari nga Kombinati, që shton se kishte zgjedhur të distancohej nga veprime të tjera siç është dhënia e rryshfetit.

“Në përfundim, dy policë qëndruan gjithë ditën para dyqanit tim dhe shikonin sa respektohej distanca mes qytetarëve, iu afrova njërit prej tyre, vërejta numrin që mbante në uniformë dhe menjëherë u nisa në polici t’i kallëzoj”, vazhdon më tej shitësi. Por kur oficerët e Policisë së Shtetit i thërritën dy të dyshuarit, ata njëzëri shtuan se kishin qenë në zbatim të shërbimit sipas planizimit që u kishin caktuar dhe pikërisht një nga detyrat e tyre ishte edhe survejimi për ruajtjen e distancës mes qytetarëve.

“Ne i kërkuam dokumentet qytetarit, por ai refuzoi duke arsyetuar se dokumentet i kanë parë shefat”, argumentoi njëri nga policët bashkiakë, që sipas burimit të gazetës ‘Si’ asnjëri prej tyre nuk u shfaq i befasuar. Shitësi na tha që do vinte në polici të dorëzonte kallëzim dhe ne pohuam duke thënë “pse mos të vinte”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë