Dosje

‘Shiko SHIK-un’!, bisedat në Sky ECC të ish-deputetit Jurgis Çyrbja me persona të inkriminuar: Të kanë ardh nga andej!

Gazeta Si - Në bisedat e përgjuara në “Sky ECC”, ish-deputeti Jurgis Çyrbja rezulton se komunikonte me persona të inkriminuar dhe të shpallur në kërkim nga drejtësia.

Dyshohet se ai ka dhënë informacione rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve, që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror.

Sipas TCH, nga bisedat e transkriptuara nga aplikacioni “Sky Ecc”, ish-deputeti i jep informacion sekret të kërkuarit Kreshnik Budlla.

Jurgis Cyrbja ka komunikuar me Kreshnik alias Sokol, alias Besnik Budlla alias Koçi, alias Farruku gjatë periudhës 30.11.2020 - 10.02.2021.

Në datën 02.12.2020, Çyrbja informon bashkëbiseduesin që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

“Vetëm shih SHIK-un mos ka njeri vërdall”, - e orienton ai, duke iu referuar Shërbimit Informativ Shtetëror

Në datë 29.12.2020, Kreshnik Budila i thotë: ”…Si thu vlla, vjen dot. Po ça të bojm pun s’kemi. Kërkim jemi… Po më thonë çunat është rrethu zona. Pyte pak, ka naj gjo se un lëviza nga zona. Jam peralt Ki ai me gur. Ke parasysh, Ki kasteli”.

Dhe ish-deputeti socialist, ia kthen: “Po e di, një mim”.

Në datën 29.12.2020 Kreshnik Budlla, ka kërkuar nga i hetuari që të pyeste lidhjet e tij me punonjësit e policisë: “Ik takoje pak, shif si është puna. Nse po sillen në zonë. Janë civilë, katër pesë makina, X5 dhe dy tre makina”.

“Ça ngjyre është X 5 gri? Se Durrsi nuk është”, - pyet Çyrbja.

“Kan mor vllain e vogël, vlla. Tani, s’e di pse. Pyt pak ça kan. Këtu jam. E kanë lënë atë burazer, kërkonin mu”, thotë Kreshniku. “Vlla jam blloku gjithë llogarit e mia”, thotë më pas Kreshniku. Sipas informacioneve më pas, rezultoi se Kreshnik Budlla ishte person i shpallur në kërkim.

Në një tjetër bisedë të transkriptuara nga aplikacioni “Sky Ecc”, ish-deputeti Çyrbja i jep informacion sekret të kërkuarit, Besmir Huqi.

Nga analiza e komunikimeve të zhvilluara në datë 29.12.2020, rezulton se, personi nën hetim është informuar nga shtetasi Besmir Huqi (alias Farruku), se këtë të fundit, edhe një të afërmin e tij i kishin shpallur në kërkim, lidhur me problemet ligjore që kanë patur me autoritetet italiane të drejtësisë.

Por, meqenëse Besmiri nuk ishte i sigurt për arsyet e shpalljes në kërkim, ka kërkuar ndihmë nga i hetuari që të interesohej lidhur me saktësinë e informacionit që i kishin dhënë.

Në datën 29.12.2020 komunikimi mes tyre:

“Na kan qit në kërkim, kan kap emrin. Nuk jam i sigurt, duhet me mor informacion”, thotë Huqi.

“Kuptoj, Ok se marr un”, thotë Çyrbja.

“Ngjo do ma shofësh emin. Të jap timin ene të Visit, Besmir. Huqi. Ergys Huqi”, thotë Huqi.

Ndërsa, në komunikimet e datës 30.12.2020, i hetuari Çyrbja e informon Besmirin se, informacioni rreth tij ka qenë i saktë, pasi në ngarkim të tij kishin ardhur aktet për shpalljen e personit në kërkim nga jashtë shtetit, duke i konfirmuar dhe akuzën konkrete për të cilën ishin të shpallur në kërkim.

“Vlla, të kanë ardh nga andej), organizat kriminale, trafik”, i përgjigjet Çyrbja.

Ish-deputeti Jurgis Çyrbja, i cili u la në burg nga Gjykata e Posaçme, akuzohet për tre veprat penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”dhe"Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë