Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë ish-komandon Merviol Bilo pa bërë asnjë ditë burg, i akuzuar për përplasjen me armë zjarri në ish-Bllok në 4 tetor 2018.
Ai është dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Tiranës me akuzën e plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, si dhe u plagosën Elio Alias Hesmerald Hato dhe Ervis Martinaj.
Po duke qenë se Bilo përfiton nga gjykimi i shkurtuar, i ulet 1/3 e dënimit, duke iu caktuar 4 vite e 8 muaj burg, ndërkohë që i gjithë dënimi do t’i konvertohet në shërbim prove.
Gjatë gjykimit, avokatët e tij, Alban Bengasi dhe Elton Hyseni, arritën të bindin gjykatën se Bilo reagoi me armë për shkak se i rrezikohej jeta. Me këtë argument, se ai kishte reaguar për shkak të nevojës ekstreme, gjykatësi paraprak i pushoi akuzën ish-ushtarakut për vrasjen e Fabian Gaxhës.
Bilo ka qenë person i shpallur në kërkim që nga momenti që ndodhi ngjarja dhe nuk u kap asnjë ditë nga policia. I gjithë procesi gjyqësor ndaj tij është zhvilluar në mungesë.
Në vendimin e gjykatës, thuhet se tashmë është faktuar se ish-komandos i është rrezikuar jeta natën e ngjarjes në ish-Bllok.
Ndërkohë, biznesmeni Ervin Mata dhe miqtë e tij, Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, u dënuan për moskallëzim krimi me 6 muaj burgim, që iu reduktua në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe urdhëroi Matën, Allushin dhe Boshnjakun të kryejnë secili nga 100 orë punë në interes publik. Me shërbim prove u dënua edhe Geldo Hoti, i pranishëm në ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.