Mode

Shfaqjet tradicionale të pasarelave mund të mos jenë e ardhmja e modës

Për vite me radhë, industria e modës ka bërë ndryshime të mëdha në orarin e Javës së Modës, të shtyrë nga nevoja për të qenë më e qëndrueshme.

Për shembull, Suedia anuloi shfaqjet e vitit 2019 sepse mendoi se markat nuk ishin gati të bënin një modë të qëndrueshme. Në Kopenhagë, Java e Modës nuk ka një datë të caktuar pasi stilistët janë të fokusuar në modë të qëndrueshme dhe ekologjike duke lënë mënjanë kalendarin tradicional të Javës së Modës.

Tani, pandemia ka ndikuar mjaftueshëm duke e bërë formatin e Javës së Modës diçka krejtësisht tjetër. Që nga marsi i këtij viti, shfaqjet në të gjithë botën, nga Tokio në Moskë, madje edhe Paris dhe Milano, janë bërë plotësisht dixhitale, me marka që zgjedhin vetë një publik të caktuar që të shohin sfilatën ose dhe shfaqje që transmetohen drejtpërdrejt për të gjithë.  

Shumë gjëra kanë ndryshuar në modë dhe njerëzit mendojnë se disa nga këto ndryshime janë këtu për të qëndruar, edhe mbasi të mbaroje pandemia.

Pra, si do të jetë e ardhmja e sfilatave?

Vetëm digjitale

Ndërsa Java e Modës në Nju Jork ka filluar, shumë stilistë kanë vendosur sigurinë të parën dhe i janë bashkuar trendit ku shfaqjet transmetohen drejtpërdrejt. Në korrik të këtij viti, "Camera Nazionale della Moda Italiana", një organizatë jofitimprurëse qëllimi i së cilës është promovimi dhe trajnimi i stilistëve të rinj italianë vendosi të bënte një shfaqje dixhitale dhe kishte më shumë bujë sesa ka pasur gjithmonë.

Shumica e 'shfaqjeve' u bënë duke postuar video të shkurta në mediat sociale të markave si dhe mënyra që përmendëm më lart ku u transmetuan drejtpërdrejt.

"Shikueshmëria ishte jashtëzakonisht e lartë dhe ne i kemi arritur ato shifra falë punës ekipore të bërë nga anëtarët tanë të cilët besuan fort që në fillim dhe luajtën një rol të madh në këtë projekt." tha Carlo Capasa, drejtori i “Camera Nazionale della Moda Italiana”.

Ai tha se “Tani më shumë se kurrë markat janë të bashkuara."

Ndërkohë, disa marka kanë shkuar edhe më tej duke eksperimentuar me CGI(Computer-generated imagery) një program kompjuterik që prodhon imazhe 3D.

Java e Modës në Helsinki, e cila u zhvillua në korrik të këtij viti, përdori modele CGI që ecnin në ambiente të krijuara nga ky program.

Marka britanike “Ralph & Russo” gjithashtu prezantoi shfaqjen e saj “vjeshtë 2020” me një format  dixhital, i kompletuar me modele CGI me sfondin e Shtatë Mrekullive të Botës.

"Ne jemi duke përqafuar plotësisht ndryshimet që po bën industria dhe jemi shumë të entuziazmuar që jemi pjesë e saj. Mundësitë tani janë të pafundme dhe kjo na ka shtyrë të jemi më kreativë." tha Tamara Ralph, bashkëthemeluese e “Ralph & Russo”.

Eksperimentuese

Në vend të një pasarele normale, shumë stilistë vendosën të eksperimentojnë duke u bërë unikë.

Marka “Ganni”, për shembull, vendosi të organizojë një ekspozitë tre-ditore, duke eksploruar se si do të jetë e ardhmja e modës dhe pasarelave në veçanti.

"Tani çdo gjë është improvizim. Këtë sezon nuk kishte ftesa dhe modelet ishin nga e gjithë bota. Asnjë i ftuar nuk kishte nevojë të merrte avionin për të qenë pjesë e shfaqjes dhe çdo gjë ndodhi përmes telefonit dhe kompjuterit.

Pastaj ishte marka “Loewe”, e cila, për Paris Fashion Week, ofroi një kuti plot me objekte që përfaqësonin markën. Marka e çoi idenë e 'ftesës' një hap më tej, në mënyrë që njerëzit që do të kishin marrë pjesë në shfaqje të ishin në gjendje të kishin një kujtim, ndërsa shfaqja u transmetua në Instagram.

Asnjë shfaqje

Disa marka të modës po heqin dorë plotësisht nga shfaqjet, siç është “NeW Wiederhoeft” që e preferojnë të famshëm si Rihanna, Lady Gaga, Lil ‘Kim. Në vend të shfaqjeve, këtë sezon kjo markë ka krijuar një libër përrallash për fëmijë.

Markat e tjera që po zgjedhin të prodhojnë koleksione pa pasur asnjë lidhje me Javën e Modës janë gjithashtu duke provuar të lulëzojnë gjatë pandemisë. Vlen të përmendim stilisten nga Kosova, Lirika Matoshi e cila me një fustan me luleshtrydhe ka arritur të tërheqë vëmendjen e gjithë botës dhe ka arritur të jetë e preferuara e të gjithëve vetëm me anë të rrjeteve sociale, pa bërë asnjë shfaqje mode.

Fustani i Lirika Matoshit

E ardhmja e Javës së Modës po ndryshon dhe duket se ajo që kemi parë deri tani do të zëvendësohet me diçka tjetër. Tani na mbetet vetëm të presim.

Burimi: In Style. Përktheu: Gazeta “Si”

 

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë