Teater

Shfaqja ‘Orfeu zbret në ferr’ fillon turneun në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut

Vepra teatrore “Orfeu zbret në ferr”, që shënoi në muajin mars premierën në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë do të shfaqet nëpër qytetet e tjera të vendit. 

Shkruar nga autori Tennessee Williams “Orfeu zbret në ferr” erdhi më herët si premierë absolute në skenën teatrore të Teatrit Kombëtar me regji nga Nastazja Domaradzka, por pas skenës së teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit shfaqja do të vijojë dhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Kjo bëhet me dije nga vetë institucioni teatror, që shprehet se do të jetë në Gjakovë e Shkup për publikun. “’Orfeu zbret në ferr’ një produksion madhështor i Teatrit Kombëtar fillon turneun nëpër qytete në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut! 18 qershor Durrës. Javën e ardhshme: 22 qershor në Shkup, 24 qershor në Gjakovë, 30 qershor në Shkodër”, thuhet në njoftimin e teatrit. 

Aktorë në role në këtë vepër teatrore janë Dritan Boriçi, Flaura Kureta, Era Çaushi, Adelina Muça, Igli Zarka, Olta Daku, Ema Andrea, Neritan Liçaj, Genti Deçka, Besmir Bitraku dhe Lulzim Zeqja.

Shfaqja vjen nën regjinë e Nastazja Domaradzka. E lindur në Poloni, Domaradzka ka punuar në Mbretërinë e Bashkuar, në vende të ndryshme, dhe puna e saj i ka rrënjët në praktikat e Europës Lindore, duke përdorur teatrin si një mjet rezistence dhe amplifikator për zërat më pak të përfaqësuar.

Disa nga punët e saj si regjisore përfshijnë: “Gratë” (Teatri Kombëtar i Kosovës); “Dziady” /Forefather's Eve (Almeida); “Scream Fire for the Revolution” (Theatre Royal Stratford East); “Dual” (Vault Festival); dhe “Orfeu zbret në ferr” (Teatri Kombëtar).

“Orfeu zbret nw ferr”

Një i huaj mbërrin në një qytet të vogël të ndarë nga historia dhe thashethemet. Në një qytet ku liria është thjesht një kujtim dhe ndryshimi nuk është veçse një koncept. A mund të ekzistojë dashuria në një vend që është i pushtuar nga dhimbja dhe urrejtja? A mund të na shpëtojë arti vërtet nga dhimbja dhe urrejtja? Një tregim poetik, i papërpunuar dhe i goditur mbi dashurinë në vitet 1950 nga dramaturgu i madh Tennessee Williams, i cili merr një interpretim bashkëkohor nën drejtimin e regjisores polake me rezidencë në Londër, Nastazja Domaradzka.

Fitues i 2 çmimeve prestigjioze “Pulitzer”, Tennessee Williams u rikthye si autor në një produksion të Teatrit Kombëtar bazuar në veprën e tij “Orfeu zbret në ferr”. Në vitin 1971, aktorë si Timo Flloko, Margarita Xhepa, Ahmet Pasha, Drita Pelinku e të tjerë, u bënë bashkë, nën drejtimin e regjisorit Mihallaq Luarasi dhe me skenografi të Ali Osekut, për të vendosur në skenën këtë vepër të dramaturgut Tennessee Williams, por shfaqja sipas teatrit u ndërpre në prova gjenerale për arsye që ende nuk njihen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë