Ana e errët

Sherri për shtëpinë e fëmijërisë, 51-vjeçari dhunon të vëllanë dhe motrën

Nga Gazeta Si- Shtëpia e prindërve është kthyer në një mollë sherri midis dy vëllezërve, të cilët kanë ngritur kundër njëri-tjetrit akuza për dhunë në familje. Por vetëm njëri prej tyre përfundoi në burg, pasi kundër tij dolën të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, përfshi edhe prindërit dhe e motra.

Siç rezulton nga aktet e vendosura nga policia, shtetasi B.S i moshës 51 vjeç ndonëse jeton me familjen e tij dhe kishte ndërtuar dhe një shtëpi të re, sytë dhe vëmendja e tij ishte e përqendruar tek banesa e vjetër ku ishte rritur.

E njëjta banesë ku jetojnë ndërkohë prindërit, i vëllai me fëmijët dhe e motra. Sipas dosjes, shtetasi B.S ishte konfliktuar shumë herë me njerëzit e shtrenjtë por në të gjitha rastet familja e fshehu problemin deri ditën kur kupa u mbush. Gjatë dokumentimit të faktit, përmend policia për Gazetasi.al, janë marrë deklarime të të dëmtuarve A dhe M.S që të dy motër e vëlla e më tej edhe anëtarëve të tjerë. Bëhet me dije nga policia se e para është pyetur motra e 51-vjeçarit të arrestuar e cila kujton se familjarisht u gjendën nën sulmin e vëllait.

“Isha së bashku me vëllain tjetër në oborr dhe në një moment aty hyn me automjet vëllai i madh duke përplasur portën e rrethimit. Isha në banesë dhe kam parë që vëllai më pas mori një vazo lulesh dhe goditi vëllain tjetër, shtetasin M.S. Zbrita poshtë për ti ndarë por ishte e pamundur. Në këtë kohë që po përpiqesha, B. më goditi me grushta si dhe më kafshoi. Aty u afruan edhe prindërit por duke qenë se janë të sëmurë dhe të moshuar nuk kanë mundur të bënin asgjë. Unë arrita ti ndaj vëllezërit dhe futa M. në banesë ndërsa vëllain tjetër erdhi dhe e mori bashkëshortja”, ka deklaruar e motra e 51-vjecarit të arrestuar. E motra e pyetur tregon se shkak i konfliktit midis tyre ishte pronësia e një pjese të shtëpisë së vjetër, që po zgjaste prej pesë vitesh por që familja nuk ka bërë asnjëherë denoncim me bindjen se një ditë i afërmi do ndërgjegjësohej.

Të njëjtin version mbështet edhe i moshuari që është babai i dy djemve.

“Eshtë hera e tretë që im bir ushtron dhunë fizike ndaj djalit tjetër dhe të motrës. Shkak i konfliktit është një pjesë e shtëpisë së vjetër që djali i madh e pretendon por që nuk i shërben për asgjë, e përdor vetëm për konflikt”.

Në vijim përmendet në dosje se policia gjyqësore ka kryer këqyrjen fizike të personave të përfshirë në konflikt. Nga kjo rezulton se në parakrahun e dorës së majtë të shtetases A.S ka dëmtime në formë kafshimi të shoqëruar me skuqje dhe nxirje të lëkurës dhe e njëjta gjë është edhe në krahun tjetër.

Poshtë gjurit vërehen dërrmishje shoqëruar me skuqje e po ashtu edhe poshtë shpatullës”, deklarohet në akt ekspertizë.

Të njëjtat dëmtime më të rënda vërehen në fytyrën e të vëllait me inicialet E.S që ka dëmtime në formën e ënjtjes, përmend policia e cila ka kryer ekzaminim edhe për 51-vjeçarin.

“Shtetasi B.S ka fraktura dhe dëmtim të lëkurës në skajin e syrit të djathtë. Ka dëmtime në mollëzat dhe në pjesën e pasme të shpinës dhe në të gjithë sipërfaqen e saj vihen re dërrmishje të shoqëruara me skuqje të lëkurës”, përmend mjeku ligjor.

I dyshuari për dhunë në familje jep alibinë e tij para policisë duke këmbëngulur se shtëpinë e fëmijërisë ja përvetësuan i vëllai dhe kunata.

“Për këtë çështje kemi bërë disa herë debate dhe për të mos degjeneruar në konflikte të rënda si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme kërkova ndihmën e dajove, tezeve, xhaxhallarëve dhe hallave por edhe me ndërhyrjen e tyre nuk pati asnjë rezultat pozitiv. I dyshuari ka paraqitur më tej një hetim të mëparshëm kundër tij.

“Për t’ju vërtetuar që më nxorën nga shtëpia e fëmijërisë dua t’ju sjell hetimin për ndërtim të paligjshëm, të kryer për nevoja të ngutshme, për të patur një strehë. Ditën e ngjarjes shkova në pronën time që është në vazhdim të banesës së ndërtuar dhe u ndesha me një sulm ku dhe u vetëmbrojta”, justifikohet i arrestuari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë