Ngjarje

“Sherri nisi pas debatit në trafik”… Mali i Zi: Kemi identifikuar autorët e dhunimit të 3 shqiptarëve në Herceg Novi

Policia e Malit të Zi tha se ka identifikuar tre autorët e agresionit fizik pa shkak ndaj tre shqiptarëve. Ata ishin nisur për në Gjermani me një mjet me targa gjermane, por befas janë sulmuar pa asnjë shkak nga një grup prej 6-7 personash duke pësuar lëndime të shumta në trup.

Tre shtetasit shqiptarë Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi, janë sulmuar në afërsi të qytetit të Herceg Novit rreth orës 14 të së shtunës. Grupi i personave goditën fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë.

Policia malazeze deklaroi se sulmi ka ndodhur pas një konflikti gjatë qëndrimit në trafikun rrugor.

“Në orët e pasdites përmes telefonit është raportuar në shërbimin kujdestar të Departamentit të Sigurisë në Herceg Novi se në rrugën kryesore në qytetin e Zelenikës në Malin e Zi ka pasur shkelje të rendit dhe qetësisë publike nga disa persona të panjohur. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një situate në komunikim në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë policia shqiptare njoftoi gjatë paradites së kësaj të diele se “Policia malazeze ka kryer tashmë të gjitha veprimet e para procedurale dhe tre shtetasit shqiptarë kanë dhënë deklarime në prani të një avokati (njohës i gjuhës shqipe) dhe të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi”. Në përfundim të veprimeve të para, tre shtetasit shqiptarë, me dëshirën e tyre, janë nisur për në Shqipëri.
Drejtuesit e Policisë së Shtetit u kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shtetasit shqiptarë t’i shoqërojnë me punonjës policie, deri në kufi.

Tre shtetasit shqiptarë kanë mbërritur në PKK Muriqan, rreth ores 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar Muriqan dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër ku shtetasit shqiptarë kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore, nga të cilat kanë rezultuar pa probleme.

Policia shqiptare tha se “në lidhje me veprimet procedurale dhe identifikimin e autorëve, sipas informacionit të dërguar nga kolegët në Malit e Zi, rezulton se policia ka ndërmarrë veprime me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave në të cilat kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë”.

“Janë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes. Përmes punës operative në terren, efektivët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do të merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre. Ngjarja është dërguar për kompetencë te Prokurori i cili do të deklarojë kualifikimin ligjor të rastit. Vijojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha policia shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë