Arsim

Sherri në Fakultetin Ekonomik/ Sindikata e pedagogëve: Kjo është vetëm maja e ajsbergut, shqetësuese heshtja

Nga Gazeta Si - Shefi i Departamentit të Marketingut në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, Mirdaim Axhami është arrestuar, pasi dyshohet se ka goditur me grusht vartësen e tij, pedagogen Liljana Billa (Elmazi).

Ngjarja është referuar nga policia ditën e shtunë ndërkohë që nuk ka ende një reagim zyrtar nga ana e Fakultetit Ekonomik.

Kjo heshtje, sipas Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve, tregon një nivel shqetësues apatie.

Në një deklaratë për media, sindikata shkruan se fenomeni “ekspozon” ashpër mungesën e integritetit njerëzor dhe degradimin e statusit të profesorit, duke njollosur kështu dhe reputacionin e universitetit.

“Aktet e dhunës dhe abuzimit jo vetëm që janë moralisht dhe etikisht të papranueshme, por gjithashtu shkelin thelbësisht parimet, që ndërtojnë sjelljen profesionale në veprimtarinë edukative”.

Sindikata shkruan se është detyrë themelore e institucionit të garantojë sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të tij pa përjashtim dhe deri më tani, nga informacionet që sindikata ka, institucioni përkatës nuk ka marrë asnjë hap për të sqaruar pjesëtarët e stafit akademik në lidhje me çështjen, pavarësisht se ajo është në hetim.

“Nga institucioni përkatës, por dhe më gjerë akoma, kërkohet përgjigje e menjëhershme dhe proaktive dhe jo të presin ndodhi të tjera. Ky incident nënvizon nevojën urgjente për një debat të hapur mbi respektin, integritetin dhe raportet institucionale drejtues-vartës, zbatimin e kodit të etikës etj. brenda universiteteve tona, duke e bërë llogaridhënien një standard të panegociueshëm në çdo nivel të menaxhimit të universitetit”.

Si sindikatë, incidentin e konsiderojnë vetëm majën e ajzbergut, pasi problematikat në lidhje me komunikimin jo vetëm njerëzor, po në radhë të parë institucional të bazuar në rregulla që mbështeten në rregullore të sanksionuara nga Universitetet përkatëse, janë të pafundme. Kësaj i shtohet edhe trajtimi denigrues financiar që i ofrohet pedagogut nga institucionet universitare dhe ato shtetërore, shkruan sindikata.

“Ambienti universitar ndihet më shumë se kurrë i demoralizuar dhe instancat drejtuese kanë obligimin t'i japin përparësi zbatimit të legjislacionit përkatës që siguron respektin, integritetin dhe profesionalizmin, duke na siguruar që ato të mos jenë thjesht retorikë propagandistike, por parime të zbatueshme. Besimi tek komuniteti akademik dhe integriteti i misionit arsimor janë në rrezik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë