Ana e errët

Sherri mes nuses dhe vjehrrës në Dimal përfundon në polici, mjekët në spital nuk panë shenja dhune

Gazeta Si - Një konflikt mes nuses dhe vjehrrës në Dimal (ish-Ura Vajgurore), ka përfunduar në dyert e Komisariatit të Policisë së Beratit.

Ngjarja ka marrë përmasa edhe më të mëdha, me vjehrrën e cila akuzon nusen e djalit për dhunë. Por pas konstatimit, mjekët në Spitalin e Beratit nuk kanë vërejtur shenja dhune.

Historia fillon para disa ditësh, kur e moshuara me iniciale M.Ç., pretendon se është dhunuar barbarisht nga bashkëshortja e djalit të saj.

Sipas policisë, fillimisht 61-vjeçarja është paraqitur në rajonin e policisë në Dimal dhe u ka kërkuar efektivëve që të largojnë nusen e djalit nga shtëpia.

Por policia e ka sqaruar se nuk mund ta bëjë këtë gjë pa një vendim gjykate dhe i kanë kërkuar që të bëjë një kallëzim penal.

Gruaja ka refuzuar që të kallëzojë nusen e djalit, por në të njëjtën ditë, pra me datë 6 tetor 2022, policia është njoftuar për një konflikt mes M.Ç., dhe E.Ç., (bashkëshortja e djalit).

Vjehrra ka pretenduar se është dhunuar fizikisht nga bashkëshortja e djalit të saj, por kjo e fundit nuk ndodhej në banesë në ato momente sipas policisë.

Më pas, 61-vjeçarja ka pretenduar se nuk është ndjerë mirë dhe është transportuar në spital.

Por mjekët e Beratit kanë deklaruar se nuk ka pasur shenja të dukshme dhune dhe për ekspertizë mjekësore e kanë dërguar në Spitalin e Traumës.

Ndërkohë, policia ka vënë nën hetim nusen E.Ç., me akuzën e dhunës në familje, ndërsa vjehrra është pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Gjatë dëshmisë së saj në polici më datë 7 tetor, nusja ka thënë se shkak i konfliktit është dhuna psikologjike që vjehrra ka bërë ndaj saj dhe se është kanosur edhe nga bashkëshorti, duke depozituar një kallëzim.

Mësohet se E.Ç., bashkë me fëmijët është akomoduar në qendrën shëndetësore në Poshnjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë