Ana e errët

Sherri masiv me dru dhe gurë për burimin e ujit, dy vëllezërit i kthen në armiq

Prona ndonjëherë të hap telashe. Dy vëllezër në Krujë janë kthyer në armiq të betuar për një burim uji. Por sherri masiv më i fundit ku dy vëllezërit që të dy të moshuar, futën në valle edhe anëtarët e familjeve përkatëse u ka kushtuar fëmijëve të tyre.

Dy djemtë e tyre, Donaldi dhe Shaqiri, me njëri-tjetrin kushërinj të parë u arrestuan për dhunë në familje, pasi siç vlerëson policia ata e kanë përdorur forcën e moshës së re për të rrahur sa më shumë palën tjetër. Në fakt tha një burim i gazetës “Si”, njëri nga denoncuesit, i cili ka gjithashtu shenja goditjesh në ballë e fytyrë ishte njëri nga të prangosurit, edhe pse vetë ai kërkoi ndihmën e policisë.

"Isha duke vaditur perimet kur uji u ndërpre. Kisha vendosur një tub në burim dhe shkova ta shoh çfarë kishte ndodhur. Kur u afrova te burimi pashë që aty qëndronte në këmbë xhaxhai im, Sahai, kushëriri im Donaldi dhe dy motrat e tij" - thotë në polici djali që më pas u arrestua edhe ai vetë. "Ju thashë pse e bëtë këtë gjë dhe m’u përgjigjën se duam dhe do ta bëjmë sërish. M’u turrën dhe vajzat më mbanin, Donaldi më godiste tregon i riu", shton ai. Por ngjarja nuk mbyllet me kaq. Pasi e kanë rrahur petë, raundi i radhës ka qenë për vëllain tjetër. Në kohën që i biri po kthehej në shtëpi, ai e shfryu inatin dhe nervat me mullarin e xhaxhait. I vuri flakën. Kur policia mbërriti te dy familjet raporton gjithashtu edhe për mullarin e shkrubuar duke e përshkruar: “Mullari ishte djegur pothuajse plotësisht, prej aty dilte tym, lartësia e mullarit duhet të ketë qenë 3.5 metra dhe diametri 1.5 metra. Në tokë vihen re elementë bari të djegur, tela gomash të djegura dhe lëndë drusore e gardh i djegur”.

Dy vëllezërit në dëshminë e tyre kanë tentuar të fajësojnë njëri-tjetrin, duke përshkruar secili shenjat e të çarat në fytyrë e duke ia hedhur fajin palës tjetër. Vëllai i madh, Sabahu, thotë se Nuriu e goditi me gurë në kokë, ndërsa ky i fundit pretendon se u qëllua me shkop druri. Policia vlerësoi se të dy ata mbanin në shtëpi armë zjarri me leje të llojit çifte. Por për t’u lënë kohë që ata të qetësohen, të dyja armët janë sekuestruar provizorisht në komisariat.

Ndërkohë që për të reflektuar se “gjaku nuk bëhet ujë”, prangat ju hodhën vetëm dy djemve që siç bëhet me dije nga burime të gazetës “Si” ata janë lënë qëllimisht në një ambient derisa ta kuptojnë se një sherr i tillë për burimin e ujit në 2020, është paradoksal.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë