Gazeta Si – Gjashtë persona janë shoqëruar në polici pas një sherri me mjete të forta që ka ndodhur në Hamallaj të Durrësit këtë të diel.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Të përfshirë në konflikt janë anëtarë të dy familjeve Nikolla dhe Kaçi.
“Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe M. N. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës”, njoftoi policia.

Shkak i sherrit mendohet se janë konflikte të vazhdueshme për rrugën e lagjes të cilën banorët e kanë shtruar para 10 vitesh me lekët e tyre, si edhe disa rrethime të komshinjve që familja Nikolla kërkon t’i heqë pavarësisht se kanë nga 30 vjet që janë aty.
Si pasojë e dhunës me shkopa bejsbolli janë plagosur 3 djemtë e familjes Kaçi, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit pasi ka pësuar fraktura të shumta. Ndërkohë, janë shoqëruar nga policia të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.
Gjatë sherrit, një punonjës i Gardës, i përfshirë në konflikt ka qëlluar me armë zjarri në ajër, por pa shkaktuar dëme në njerëz.
Burime paraprake, bëjnë me dije se gardisti është pjesë e grupit të shoqërimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla.
“Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M. N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person”, njoftoi policia.
Pas këtij njoftimi, zyra për shtyp e Ministrisë së Brendshme njoftoi se inspektori në fjalë është përjashtuar nga radhët e Gardës.
“Garda e Republikës është informuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës mbi përfshirjen e një efektivi të Gardës në një incident të dhunshëm, në Hamallaj, ku dyshohet se inspektori M.N., ka përdorur edhe armën e shërbimit. Me urdhër të Ministrit të Brendshëm është bërë përjashtimi i menjëhershëm i këtij punonjësi, nga radhët e Gardës së Republikës”, thuhej në një njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.