Ngjarje

Dhuna në Hamallaj, arrestohet gardisti pjesë e grupit të shoqërimit të Lindita Nikollës. Kryeparlamentarja: Akt i dënueshëm

Gazeta Si - Arrestohet efektivi i Gardës së Republikës, Martin Nikolla, pjesë e grupit të shoqërimit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, lidhur me konfliktin e ndodhur sot në Hamallaj të Durrësit mes dy familjeve, Nikolla dhe Kaçi.

Mes personave të përfshirë në dhunën shtazarake ndaj anëtarëve të familjes Kaçi, është edhe 50-vjeçari, pjesë e grupit të shoqërimit të numrit 2 të shtetit, i cili ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi pasditen e kësaj të diele arrestimin e gardistit Martin Nikolli. Sipas AMP, Nikolla është përfshirë në konflikt, duke dëmtuar me sende të forta disa persona dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ishte në detyrë.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor Martin Nikolla, pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme”, - thuhet në njoftimin e AMP.

Më herët, Ministria e Brendshme e përjashtoi menjëherë nga Garda e Republikës. Po ashtu, edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka mbajtur një qëndrim të ashpër për konfliktin e ndodhur në Hamallaj, ku u përfshi një nga shoqëruesit e saj.

Përmes rrjeteve sociale, kryeparlamentarja Nikolla thotë se si ngjarja në vetvete ashtu dhe përfshirja e efektivit të Gardës është e dënueshme.

“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës  së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme. Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot. Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shprehet në reagimin e saj kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Një konflikt mes dy familjeve për motive pronësie degradoi deri në përdorimin e sendeve të forta dhe armës së zjarrit në fshatin Hamallaj të Durrësit këtë të diel.

Në të u përfshinë anëtarë të familjes Nikolli dhe Kaçi. Pasi u përplasën fizikisht, gardisti Martin Nikolli qëlloi me armë zjarri në ajër.

Nga të shtënat nuk pati të lënduar. Shkak për ngjarjen dyshet se u bë një rrugë kalimi, e cila shpeshherë kishte shkaktuar jo pak përplasje mes dy familjeve, ku bënte pjesë dhe, tashmë, ish-punonjësi i Gardës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë