Ngjarje

Sherr dhe të shtëna me armë mes grupeve shqiptare dhe kosovare në Itali, plagosen 8 persona (Foto-Video)

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e të shtunës rreth orës 8 në rrugën “Carducci” në një nga rrugët kryesore të qytetit të Triestes në Itali, ku u plagosën 7 persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Sipas gazetës  prestigjioze “Corriere della Sera” në versionin e saj online, episodi u zhvillua në kulmin e një sherri midis dy grupeve me origjinë shqiptare dhe kosovare, që filloi në një zonë aty pranë, në "Piazza Sansovino", rreth orës 6.30.

Dyshohet se përplasja mes dy grupeve, ka nisur për arsye të punës në fushën e ndërtimit dhe lidhur me kantieret e shumta që janë duke u zhvilluar në Trieste.

Dy grupet, të përbëra nga rreth pesëmbëdhjetë persona (numri i saktë nuk dihet ende), fillimisht u përballën me njëri-tjetrin para barit “Royal” në Carducci (i menaxhuar nga kinezët) me shufra, duke hedhur karrige dhe stola mbi njëri-tjetrin dhe pastaj njëri prej tyre nxorri armën dhe filloi të qëllojë. Të paktën dhjetë goditje. Në vendngjarje, të rrethuar aktualisht nga policia, ka copa gjaku në makina dhe në rrugë.

Shtatë të plagosur

Shtatë persona u plagosën dhe u transportuan në spitalet e Triestes dhe Monfalcone. Dy persona janë në gjendje të rëndë, ku njëri ka plagë me armë zjarri në gjoks. Pesë të tjerë kanë plagë me armë zjarri dhe shenja në kokë nga goditja. Dy persona të tjerë raportuan lëndime të lehta në vend.

Policia lokale, e cila po punon ende për të zbardhur plotësisht ngjarjen, ka ndaluar dy persona të armatosur që dyshohet se kanë qenë të pranishëm në konflikt.

Dëshmitë

Rreth 7.40 në rrugën “Carducci”, në qendër të Triestes, kishte të paktën dhjetë persona, të gjithë të veshur me uniforma punëtorësh. Disa dolën nga një makinë e errët, të tjerët nga një makinë e bardhë, disa me shkopinj druri, disa me armë. Këto janë dëshmitë e para të atyre që, mëngjesin e sotëm, ishin në vendin ku ndodhën të shtënat mes qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë.

Në fillim "pati një sherr me karrige dhe stola, të hedhura në ajër, - thotë një dëshmitar, një tregtar në zone, - një grindje midis bandave. Pastaj në një moment të caktuar erdhi një furgon dhe më shumë njerëz dolën jashtë, sikur të kishin thirrur përforcime. Kam dëgjuar 5 deri në 7 të shtëna. Kishte një person në tokë, ata qëlluan ndaj tij sërish". Gjithçka zgjati rreth dhjetë minuta, thotë ai. “Frika ishte e madhe, për të gjithë”.

“Pashë një rrëmujë të madhe, - thotë një banakier që punon pikërisht përballë vendit ku ndodhi ngjarja, - por në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Njerëzit po ndiqnin njëri -tjetrin dhe u duk se ishte një lojë mes tyre. Pastaj pashë një person tjetër në tokë, i cili kishte rënë të fikët dhe kuptova se çfarë po ndodhte. Unë kam punuar këtu për 33 vjet, nuk kam parë kurrë një skenë dhune”.

Dyshimet

Të shtënat me armë zjarri këtë të shtunë, duket se lidhen me një episod që ka nddodhur në mes të korrikut, përsëri në “Piazza Sansovino” mes dy grupeve  punëtorësh kosovarë, ku dy persona kishin pësuar lëndime të ndryshme, si nga një thikë ashtu edhe nga tuba metalikë.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë