Gazeta Si – Shërbimet sekrete amerikane, dyshojnë se ishin ukrainasit ata që vranë Darya Duginën më 20 gusht në Moskë.
Gjithsesi, administrata Biden nuk ishte paralajmëruar nga shërbimet sekrete të Kievit.
Nëse do ta dinin, ata do të ishin përpjekur të bindnin qeverinë e Kievit të hiqte dorë nga aksioni.
Amerikania “New York Times”, rindërton një nga ngjarjet më të errëta të muajve të fundit, edhe pse ende mungon informacioni për të plotësuar tablonë.
Gazeta shkruan se menjëherë pas sulmit, “sektorë të qeverisë amerikane shprehën irritimin e tyre për aventurizmin e operacioneve të fshehta”.
Është e paqartë nëse ishin këshilltarët e Joe Biden apo nëse ishte CIA që protestoi.
Ai “blic” rrezikoi të nxiste përshkallëzim në një fazë delikate të luftës. Për më tepër, mund t’i kishte dhënë Vladimir Putinit pretekstin për të urdhëruar eliminimin e figurave kryesore në Ukrainë, duke filluar nga vetë presidenti Volodymyr Zelenskij.
Inteligjenca amerikane nuk e ka identifikuar ende se kush e autorizoi misionin në Moskë: ushtria, kundërzbulimi, vetë Zelenskij?
Darya Dugina, 29 vjeçe, u hodh në erë sapo hipi në makinë. Ajo ishte vajza e Aleksandr Dugin, 60 vjeç, figura më e shquar e së djathtës nacionaliste, me nofkën “Rasputini i Vladimir Putinit”, një teoricien i kthimit të “Rusisë së Madhe” dhe për këtë arsye një avokat i luftës totale kundër Ukrainës.
Në Uashington, megjithatë, u mendua menjëherë se objektivi i vërtetë i sulmit ishte Dugin, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara dhe BE e kishin sanksionuar vajzën e tij Darya për përhapjen e lajmeve të rreme në internet.
Edhe rusët ia kishin hedhur fajin agjentëve nga Kievi për sulmin. Një ditë pas vrasjes, FSB, shërbimi sekret i brendshëm, njoftoi se kishte identifikuar një grua ukrainase që kishte marrë me qira një apartament në të njëjtin godinë me Dugina në korrik dhe që ishte larguar nga Rusia menjëherë pas shpërthimit.
Nga Kievi, Mykhailo Podolyak, një nga këshilltarët më të afërt të Zelenskijt,, hodhi poshtë çdo akuzë, duke deklaruar për “New York Times”: “E theksoj edhe një herë: çdo vrasje në kohë lufte në vendin tonë ose në një tjetër, duhet të ketë një justifikim konkret. Ai duhet të përmbushë një qëllim specifik, taktik apo strategjik. Një person si Dugina nuk ishte as një objektiv taktik dhe as strategjik për Ukrainën”.
Asnjë reagim, për momentin, në Uashington. Të shtunën e kaluar, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken telefonoi homologun e tij në Kiev, Dmytro Kuleba, duke siguruar se SHBA “do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë kontrollin e territoreve të saj dhe për të forcuar forcën e saj ushtarake dhe diplomatike”.
“Rasti Dugina” megjithatë nxjerr në pah një problem që shqetëson amerikanët. Herë të tjera ukrainasit kanë bërë bastisje të fshehta në territorin rus, ose brenda kufijve të tyre, duke goditur gjeneralët e ushtrisë Putiniane midis majit dhe qershorit.
Që atëherë, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i kanë kërkuar Zelenskijt të ndajnë planet operative, duke pasur parasysh se rezistenca dhe tani kundërofensiva ukrainase nuk do të ishte as e imagjinueshme pa armët dhe informacionin e transmetuar nga amerikanët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




