Ana e errët

Shënjestra e sulmit me tritol në Tiranë u mor në pyetje për vrasjen me snajper në Rrëshen

50-vjeçari Preng Gjini, nga qyteti i Rrëshenit po lufton për jetën në Spitalin e Traumës. Ai mbeti i plagosur rëndë pas shpërthimit të një sasie tritoli që i ishte vënë në automjetin me të cilin po udhëtonte pranë zonës së Selitës në Tiranë.

Policia thotë se paraprakisht po heton në pistën e hakmarrjes, duke u nisur nga fakti se ndaj 50-vjeçarit nuk ka asnjë precedentë penalë, përveç faktit që në fillim të këtij viti është marrë në pyetje si autor i dyshuar i një tjetër ngjarjeje të bujshme të ndodhur në qytetin e Rrëshenit në janar.

Bëhet fjalë për vrasjen e Kastriot Reçit, që u qëllua me snajper nga një distancë e konsiderueshme në qytetin e Rrëshenit. Ekzekutimi ishte mafioz dhe i mirëmenduar pa lënë asnjë gjurmë pas. Policia dhe prokuroria në mungesë të provave nuk e morën asnjëherë si të pandehur Preng Gjinin.

Por, nëse për policinë provat nuk kanë qenë bindëse, për botën e krimit duket se dyshimet kanë qenë të mjaftueshme dhe edhe sipas deklaratës së drejtorit të Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj krimi dyshohet se është bërë për hakmarrje për vrasjen e Kastriot Reçit.

Zinxhiri i hakmarrjes nuk ka lindur me këtë vrasje. Në gusht të 2019 në mes të Rrëshenit u vra me armë zjarri Armando Gjini, njohur edhe si Tonin Gjini, vëllai i Preng Gjinit. Edhe kjo ngjarje ka mbetur ende pa autorë për policinë.

Armando Gjini

Gazeta “Si” mëson se Preng Gjini nuk jetonte në Shqipëri, por është rikthyer në muajin gusht për 1-vjetorin e vdekjes së të vëllait të tij. Dyshohet se autorët kanë studiuar për ditë me radhë lëvizjet e 50-vjeçarit Preng Gjini dhe se në momentin e shpërthimit ata mund të kenë qenë në një distancë të afërt me viktimën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë