Ngjarje

“Shefja e çmendur” e Ilir Metës që u tall me Gardën e Republikës

Pas Pashalimanit një ngjarje tjetër, në dukje qesharake, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për sigurinë.
Një grua 55 vjeç që banon në Tiranë është tallur keq me Gardën e Republikës, duke i kaluar lehtësisht postblloqet derisa u ul këmbëkryq në vilën presidenciale “për të lexuar libra”. Ajo hyri me makinë brenda ambientit që ruhet me forca të shumta, duke kaluar jo vetëm postbllokun e parë, por të gjitha kontrollet e gardës në vilën e presidentit brenda rrethimit të Pallatit të Brigadave. E veshur me kostum dhe duke ngarë makinën, ajo i ka thënë rojës së sigurisë ta linte të kalonte, pasi “ishte shefja e re”.

Ushtari i gardës ka kërkuar shpjegime dhe kartë identiteti, por gruaja ka këmbëngulur: “Jam shefja, nuk më njeh?” .Vetëm nga kjo fjalë, postblloku i parë është hapur dhe gruaja ka vazhduar e qetë. Parkoi makinën qetësisht dhe ka hyrë në vilën e presidentit Ilir Meta. Sapo ka hyrë në ambientet e brendshme, i ka kërkuar një punonjësi të vilës që t’i sjellë libra për të lexuar sepse “ajo është shefja”. Ai (punonjësi) e ka lejuar disa minuta brenda. Por, vetëm pas disa minutash pati dyshime dhe ka kërkuar informacione për të mësuar se ku zonja ishte konkretisht shefe.

Pasi nuk ka marrë përgjigje, ka njoftuar menjëherë gardën se në ambientin e Sigurisë së Lartë gjendej një person i panjohur. Policia dhe garda kanë kryer verifikimet nga ku rezulton se kjo shtetase që theu sigurinë me një fjalë goje thjesht “unë jam shefja”, po kurohej për problemet mendore, pasi vuan nga çrregullimet bipolare. Kur është pyetur më pas për shkaqet që e shtynë të hyjë në zonën e presidentit, ajo ka rrëfyer se “doja të lexoja libra, meqenëse është ftohtë”.


Shënim: Dinamika e kësaj ngjarjeje u bazua mbi raportin e Gardës së Republikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë