Gazeta Si - Të kapur për korrupsion, shpërdorim detyre dhe si bashkëpunëtorë në trafikun e drogës, arrestimi i shefit të komisariatit të Laçit Dritan Metaj, është rasti i radhës në mesin e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Përveç dhjetëra rasteve që janë ndaluar për shpërdorim detyre, nuk mungojnë në muajt e fundit disa syresh që kanë bashkëpunuar me trafikantë të drogës apo të akuzuar për kultivim kanabisi.
Në 19 shtator, u arrestua në Greqi efektivi i Forcave Operacionale në DVP Berat, Amarildo Kureta. Ai ishte shpallur në kërkim nga Itali për trafik droge, ndërkohë që prej disa vitesh punonte në polici.
Kureta kishte marrë lejen vjetore, konform të gjitha rregullave dhe dispozitivave të Policisë së Shtetit. Drejtoria e Policisë Vendore Berat, pretendoi se nuk kishte pasur asnjë njoftim nga Interpoli se punonjësi i tyre ishte person "i shpallur në kërkim" për trafik droge.
Në mesin e të zyrtarëve të lartë të policisë, që janë arrestuar me urdhër të SPAK, figuron edhe emri i Oltion Bistrit, ish-shef i Operacionales në Shkodër.
I prangosur në 27 korrik kuadër të operacionit antidrogë “Metamorfoza”, ai shfaqet duke kryer komunikime të shumta me trafikantë të drogës.
Bistri rezulton se ka biseda telefonike komunikime me Ervis Martinajn, duke i dhënë informacione të ndryshme, por edhe për aksionet që bëheshin për kapjen e tij.
Këto komunikime i përkasin kohës kur Bistri është emëruar në detyrën e drejtorit të Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit.
Në 29 korrik, u vunë në pranga dy punonjës policie në Lezhë, pasi kishin lejuar trafikantët të kultivonin kanabis.
Pas një hetimi 2-vjeçar të AMP-së, Serxhio Xhamalloti 27 vjeç dhe Klisman Nikolli 28 vjeç, u përjashtuan nga radhët e policisë pas zbulimit të tyre të veprimtarisë kriminale.
Në 3 gusht, një nënkomisar në policinë e Durrësit, u arrestua, pasi akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Efektivi Ardit Xhafa, duke keqpërdorur detyrën ushtronte presion dhe mashtronte shtetasit, që shoqëroheshin me doza narkotike, kundrejt përfitimeve monetare.
Ndërsa në prill të këtij, viti, punonjësi i policisë Sokol Canameti, 48 vjeç, u arrestua për “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Canamati, Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Policisë e Tiranës, kundrejt ryshfetit ka premtuar lehtësimin e pozitave procedurale penale të një shtetasi ndaj të cilit zhvillonte hetime për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Ai akuzohet se ka ushtruar presion ndaj të arrestuarit E.K., duke i kërkuar shumën prej 2 mijë eurosh në këmbim të lënies të lirë duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë.
Një rast i bujshëm, ishte arrestimi i Shefit të Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, Altin Morina.
Në 14 mars 2023, Morinës iu gjetën 113 mijë euro në makinë. Ai akuzohet për pastrim parash dhe lidhje me grupet kriminale në vend.
Ndërsa pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës dënoi me 7.9 vite burg ish-policin e RENEA-s Remal Rada, i arrestuar vitin e kaluar, pasi u kap me një pushkë snajper në makinë të cilët e posedonte pa leje.
Brenda mjetit që drejtohej nga Rada u gjet një snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi si ato të policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.
Në kontrollin që pasoi në banesën e tij dhe të bshkëpunëtorit, u gjetën një pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak.
Ndër raste e tjera të bujshme në vitet e fundit, janë arrestimi i efektivit të operacionales Jeton Lami, që dyshohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, apo oficeri i policisë së Elbasanit, Arjan Tase, për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia në Plazhin e Potamit.
Gjithashtu, ishte dhe rasti i efektivit Ludian Zaimi, që vrau me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi brenda komisariatit Nr.3 në Tiranë, apo efektivët që u arrestuan për serat me kanabis në Berat.
Numrin më të lartë të ankesave në AMP e mbajnë efektivët e rendit, të cilët pasohen nga policët e Rrugores dhe më pas të sektorëve të tjerë.
Gjatë vitit 2022 u arrestuan 132 efektivë dhe u regjistruan me mijëra ankesa pranë AMP-së për policë të patrullës së përgjithshme dhe të rrugores që janë denoncuar nga qytetarët për ryshfet, lidhur me hetime, apo për shmangien e gjobave.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit gjatë vitit ka pezulluar dhe përjashtuar dhjetëra efektivë, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, që prej marrjes së detyrës, ka theksuar e procesi i vetëpastrimit i policëve të inkriminuar është një nga zotimet e tij të pakthyeshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.