Ngjarje

SHBA zotohet të shtypë skemat e shmangies së taksave, Londra “shpërndan” përgjegjësinë

“Pandora Papers” kanë zënë faqet e para të të gjitha mediave kryesore botërore, me përjashtim të atyre në Kinë dhe Rusi, ku mbulimi ka qenë sporadik, i vakët dhe i thatë. Ndërkohë, në lidhje me skandalin kanë nisur reagimet e qeverive.

Shtëpia e Bardhë u zotua që të “shtypë skemat e padrejta të shmangies së taksave”.

“Agjenda e Presidentit Biden për të ndërtuar më mirë të ardhmen së bashku do të shtypë skemat e padrejta të taksimit, që favorizojnë korporatat. Është koha për t’u dhënë hakun amerikanëve që punojnë fort dhe për t’u siguruar që super të pasurit të paguajnë pjesën e tyre”, thuhet në një reagim të Shtëpisë së Bardhë.

Në deklaratë premtohet gjithashtu që Presidenti Biden do të sigurohet që shtresa e mesme të lehtësohet nga barra fiskale dhe të reduktojë kostot shëndetësore për familjet.

Me interes u prit reagimi i qeverisë britanike, nisur nga fakti që në qendër të “Pandora Papers” është Londra kryeqyteti botëror ku udhëheqësit preferojnë më shumë që të fshehin pasuritë e tyre. Kancelari Rishi Sunak tha se raportimet “do të hetohen”.

Ai deklaroi gjithashtu se Britania e Madhe po udhëheqë përpjekjet globale për më shumë transparencë dhe llogaridhënie ndaj personave që u shmangen taksave përmes skemave të padrejta.

“Por, ky është një fenomen global. Ne mund të bëjmë pjesën tonë të hetimit, por na duhet një bashkëpunim global për të goditur si fenomen”, tha ai.

Megjithatë, nga opozita laburiste mendojnë se më shumë se global, dokumentet tregojnë se Londra është në qendër të tij.

“Rregullat tona janë të dobta, zbatimi i ligjit është patetik. Sekreti mbi zotërimin e pasurive të paluajtshme po mundëson pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Avokatët, bankierët dhe këshilltarët po u sigurojnë mbrojtje. Britania e Madhe është ne qendër të skandalit. Parajsat tona fiskale po shfrytëzohen si një rrugë për të pastruar paratë e pista”, deklaroi deputetja laburiste, Margaret Hodge.

Qeveritë e konservatorëve janë akuzuar ndër vite se po refuzojnë të bëjnë transparencë për transaksionet financiare, duke iu shmangur që prej 2016-s një premtimi për të miratuar një ligj që do të bënte publik regjistrin e pronave në Britaninë e Madhe dhe zotëruesit e tyre. Ligji, i premtuar vit pas viti që prej 2016-s, ende nuk është miratuar.

Mbulimi mediatik i skandalit

Mediat kineze kanë pasqyruar raportimet, por jo analiza dhe detaje të funksionimit të këtyre skemave. Tabloidi nacionalist kinez, Global Times vë theksin te shmangia e taksave nga Tony Blair dhe thekson se Presidentit rus, Vladimir Putin iu gjetën asete të fshehura në Monaku.

Në Rusi, skandali po kalon në heshtje. Televizionet shtetërore as i pasqyruan raportimet, ndërsa ato zunë hapësirë vetëm në disa portale opozitare në gjuhën ruse, por që vepronë jashtë territorit të Rusisë.

Ndërkohë, të gjitha mediat kryesore perëndimore kanë mbushur faqet e tyre me “Pandora Papers”. “Miliarda të fshehura në parajsa fiskale” – shkruan Washington Post.

Britanikja “The Guardian” shkruan se skandali është vetëm maja e ajsbergut e një rrjetit të fshehtë financiar global, ku qarkullojnë miliarda dollarë.

Spanjollja “El Pais” shkruan se të dhënat kanë rrjedhur nga 14 zyra ligjore dhe veç 300 e ca politikanëve përfshijnë edhe 700 kompani të lidhura me Spanjën.

Në Francë mediat janë përqëndruar te roli i SHBA në fshehjen e pasurive dhe shmangien e taksave. Sipas Radio France, “Pandora Papers” është një udhëzues i mirë që tregon se “SHBA është drejt rrugës për t’u shndërruar në një parajsë fiskale”, duke iu referuar pasurive të blera kryesisht nga Mbreti i Jordanisë, Abdullah.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë