Analize

SHBA presion Bullgarisë për heqjen e veton ndaj Maqedonisë së Veriut

Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë resion mbi Bullgarinë, duke i kërkuar të heqë veton nga integrimi i Maqedonisë së Veriut.

Portali europian “Euracitv” raporton se Uashingtoni kërkon që BE të miratojë deri në pranverë kuadrin negociator të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Për këtë arsye, diplomacia amerikane është në vënë në lëvizje për të tejkalaur pengesat në Sofje.

“Uashingtoni kërkon të përshpejtojë integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të kontrolluar ndikimin në rritje të Kinës dhe Rusisë në rajon”, shkruan “Euractiv”.

“Është e gabuar që Bullgaria të përdorë një mosmarrëveshje dypalëshe për të ndaluar aspiratat e Maqedonisë së Veriut për në BE. Ata po e kthejnë atë në një çështje shumëpalëshe që na prek të gjithëve”, tha i dërguari i ri special i SHBA -së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, disa ditë më parë në një intervistë.

Escobar tha se do të donte që bisedimet e pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillonin këtë vit, duke shtuar se të dy vendet e kishin merituar.

Presioni nga BE është po ashtu i lartë. Komisioneri Europian për Zgjerimin Olivér Várhelyi do të mbërrijë në Sofje të martën dhe do të takohet me Presidentin Rumen Radev dhe Ministrin e Jashtëm Svetlan Stoev. Tema kryesore do të jetë vetoja mbi integrimin e Maqedonisë së Veriut.

Vetoja e Sofjes ndaj hapjes së negociatave me Shkupin, e cila po mban peng edhe Shqipërinë, ishte tema kryesore e diskutimit mes në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, i cili bëri bashku udhëheqësit e Ballkanit dhe BE-së. Sllovenia, e cila është e etur për të arritur përparim në drejtim të zgjerimit të BE-së, por edhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, i kërkuan Bullgarisë të ndryshonte qëndrim ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Presioni i BE -së ndaj Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut do të jetë edhe më i ashpër në muajt e ardhshëm”, parashikoi presidenti bullgar Rumen Radev. "Unë i bëj thirrje të gjitha partive bullgare, nga të cilat varet formimi i një qeverie të rregullt, se presioni evropian mbi Bullgarinë do të rritet dhe ne kemi nevojë për një qeveri dhe parlament të rregullt që do të mbrojë qartë pozicionin tonë kombëtar para partnerëve tanë evropianë," tha Radev pas takimit me liderët e rajonit.

Radev iu kundërpërgjigj presionit duke thënë se Bullgaria, e cila do të shkojë në zgjedhje për të tretën herë brenda këtij viti, kërkon që Maqedonia e Veriut duhet të mbrojë të drejtat minoritetit bullgar dhe të ndalojë gjuhën e urrejtjes.

Kryeministri slloven Janez Jansa e bëri me dije se vendi i tij do të mbajë një samit për Ballkanin Perëndimor në fillim të tetorit dhe dëshira e tij është që këto samite të bëhen një ngjarje e rregullt vjetor, për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së.

"Ne po bëjmë gjithçka që mundemi" tha si. Por mungesa e një qeverie në Bullgari e përkeqësoi situatën pasi na mungon bashkëbiseduesi në anën tjetër të tavolinës".

Që nga prilli, Bullgaria ka mbajtur dy herë zgjedhje dhe ka qenë e pasuksesshme në zgjedhjen e një qeverie të rregullt. Zgjedhjet e treta po afrohen para fundit të vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë