Ngjarje

SHBA po hedhin miliona vaksina antiCovid në kosh, kur 1% e vendeve të varfra kanë marrë vetëm një dozë

Të paktën 15 milionë doza u hodhën në SHBA midis marsit dhe shtatorit, sipas një analize të të dhënave të CDC. Një hetim i veçantë zbuloi se 1 milion doza u hodhën në 10 shtete midis dhjetorit dhe korrikut.

Numri i amerikanëve që marrin vaksina kundër COVID-19 është mesatarisht 1 milion në ditë. Kërkesa pritet të rritet brenda disa javësh kur fëmijët e shkollës fillore mund të fillojnë të vaksinohen.

Vaksinat Covid për fëmijët amerikanë janë gati ndërsa sfida do të jetë bindja e prindërve për t’i vaksinuar

Ndërkohë, shtetet vijojnë të hedhin doza të papërdorura.

Luiziana psh ka hedhur 224,000 doza të papërdorura të vaksinave Covid, një shifër që pothuajse është trefishuar që nga fundi i korrikut, edhe pse një valë e katërt vdekjeprurëse e virusit kapi këtë shtet.

Disa nga dozat e hedhura në kosh erdhën nga hapja dhe mos mbarimi i shisheve të vogla, ndërsa më shumë se 20,000 doza të tjera thjesht skaduan.

Mijëra doza thuhet se u hodhën çdo ditë në Wisconsin. Në Alabama, janë hedhur më shumë se 65,000 doza; në Tennessee, numri ka shkuar në 200,000.

Dozat e hedhura në kosh tregojnë edhe një pjesë të vogël të numrit të dozave të vaksinave që janë bërë në këto shtete.

Ky lajm vjen ndërsa miliona njerëz në të gjithë botën presin dozat e tyre të para. Vetëm 1% e popullsisë së vendeve me të ardhura të ulëta kanë marrë dozën e parë që nga korriku, krahasuar me më shumë se gjysmën e atyre që jetonin në një pjesë të vogël të vendeve me të ardhura të larta.

Shumë nga dozat e hedhura ishin nga farmacitë. Të paktën 7.6 milion doza të hedhura vijnë nga katër farmacitë kryesore: Walgreens, CVS, Walmart dhe Rite Aid.

Ka shumë arsye pse dozat janë hedhur: nganjëherë një shishkë plasaritet ose nuk përmban aq doza sa duhet; nganjëherë mosfunksionimi i gjilpërave; frigoriferët prishen ose energjia fiket.

Shpesh, njerëzit nuk paraqiten për takime dhe doza e caktuar për ta në një shishe nuk përdoret.

Por meqenëse vaksinimet në të gjithë vendin kanë ngecur pasi arritën kulmin në mes të prillit, një problem në rritje është thjesht fakti se vaksinat po skadojnë mes hezitimit për tu vaksinuar në SHBA që është përhapur më shumë nga sa imagjinohej në fillim.

Para qershorit, pak më shumë se 2 milion doza kishin shkuar kot, raportoi NBC News. Por gjatë verës, ato shifra u rritën - së bashku me vetë virusin - gjashtëfish pasi dozat skaduan.

Administrata e Biden ka nxitur të përdorë stokun e vaksinave amerikane për dozën e tretë, ndonjëherë duke u përplasur me agjencitë shkencore se kush ka nevojë për një dozë shtesë.

Zyrtarët po punojnë gjithashtu me prodhuesit e vaksinave për të zvogëluar numrin e dozave në secilën shishkë.

Përballë pabarazive globale, nuk është aq e thjeshtë që shtetet të dhurojnë vaksina të papërdorura. Dozat e shpërndara tashmë në shtete nuk mund të rishpërndahen ndërkombëtarisht për shkak të proceseve burokratike dhe të sigurisë rreth ruajtjes së saktë të vaksinave.

Joe Biden është zotuar se do të vaksinojë 70% të botës në vitin e ardhshëm dhe është zotuar të dhurojë disa milionë doza për përdorim jashtë vendit. Por ndërkohë, shumë vende po përpiqen të sigurojnë doza për më të cenuarit dhe ata që punojnë në vijën e parë të pandemisë, ndërsa amerikanët refuzojnë imunizimin.

Prodhuesit gjithashtu duhet të rrisin prodhimin për të adresuar mungesat globale, ka thënë administrata. Moderna, për shembull, duhet të "rritet si kompani" kur bëhet fjalë për prodhimin global të vaksinave, tha të mërkurën David Kessler, zyrtari kryesor shkencor i administratës Biden për Covid-19.

The Guardian/ Përshtati në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë