Shendet

SHBA përgatitet për koronavirusin, San Francisko shpall gjendjen e emergjencës

Në qytetin e San Franciskos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është raportuar ende asnjë rast infektimi me koronavirus, por sërish zyrtarët vendorë deklaruan gjendjen e emergjencës, duke paralajmëruar se është vetëm çështje kohe që virusi të mbërrijë në SHBA.

London Breed, kryebashkiake e San Franciskos e argumentoi shpalljen e gjendjes së emergjencës ditën e martë duke cituar “panoramën gri globale”.

“Ne duhet të jemi të përgatitur, të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët tanë. Po e shohim përhajen e virusit në vende të reja në botë çdo ditë. Kaq mjafton”, deklaroi Breed.

Kryebashkiakja e San Franciskos, London Breed

Vendimi i kryebashkiakes së San Franciskos u mor pas paralajmërimit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, instituti më i lartë federal në SHBA për trajtimin e tematikave të shëndetit.

“Sa më shumë shtohen vendet që raportojnë raste të reja me koronavirus, aq më e vështirë bëhet për ne që të kontrollojmë dhe mbajmë larg kufijve tanë kontaminimin. Prandaj, nuk është pyetja nëse kjo do të ndodhë, por kur do të ndodhë dhe sa njerëz do të preken”, deklaroi Nancy Messioner, drejtore e këtij instituti.

Qendra paralajmëroi gjithashtu se virusi mund të shkaktojë edhe kaos në jetën e përditshme, me të njëjtat pasoja si në vendet e prekura deri më tani, si Kina, Italia apo Koreja e Veriut, ku shumë aktivitete të përditshme ekonomike, kulturore dhe në çdo fushë tjetër janë ndërprerë.

Autoritetet u kërkuan njerëzve që të ruajnë qetësinë, të shmanget paniku, por edhe të fillojnë që të mendojnë për masat që duhet të merren, përfshirë këtu mbylljen e shkollave dhe inkurajimi i punës nga shtëpia.

“Pjesë e gatishmërisë është një shoqëri e edukuar që të mendojë për të ardhmen”, deklaroi Sekretari i Shërbimeve Shëndetësore Njerëzore, Alex Azar.

Ai thotë se aktualisht rreziku për amerikanët mbetet i ulët, por potencialisht kjo situatë do të ndryshojë shumë shpejt.

“Ne nuk mund të izolojmë hermetikisht SHBA prej një virusi dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë se kjo nuk mund të ndodhë. Do të kemi më shumë raste në SHBA dhe për këtë po tregohemi të sinqertë dhe transparentë”, deklaron Azar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë