Ngjarje

SHBA ofron 5 mln dollarë për “kokën” e një hakeri rus

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në dispozicion plot 5 milionë dollarë për këdo që ofron informacion mbi vendndodhjen e dy hakerave rusë, të cilët i akuzon si truri që qëndron pas një virusi që në harkun kohor të 10 viteve u ka mundësuar grabitjen e të paktën 100 milionë dollarëve nga bankat dhe llogaritë bankare të shtetasve amerikanë.

Maksim Yakubets, drejtuesi i grupit të hakerave “Evil Corp” dhe bashkëpunëtori i tij, Igor Turashev dyshohet se janë autorët e shpërndarjes së “Dridex”, njohur ndryshe edhe si “Bugat” dhe “Cridex”. Virusi shpërndahej përmes një sistemi të automatizuar që u dërgonte një link viktimave në postën elektronike, ndërsa shënjestra parësore kanë qenë organizata financiare në mbarë botën.

Bashkë me publikimin e emrave të dy të shumëkërkuarve, Departamenti i Drejtësisë ofroi edhe shumën rekord prej 5 milionë dollarësh për këdo që jep informacion të saktë për këta dy persona. Shifra është më e larta që SHBA jep për “kokën” e një hakeri.

“Bugat është një paketë shumëfunksionale e ndërtuar për të infektuar kompjuterat dhe vjedhur të dhënat personale, si dhe informacionin financiar, si të dhënat bankare online të viktimave të tij. Arkitektura e këtij këtij virusi është në gjendje që të tejkalojë çdo antivirus dhe masa të tjera mbrojtëse, ndërsa versionet e përditësuara të virusit mbërrijnë paketë me instalimin e programeve që ju spiunojnë të dhëna të detajuara”, deklaroi Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmes një komunikate për shtyp.

Përveç akuzave si zhvillues dhe përhapës i “Dridex”, Yakubets akuzohet edhe për konspiracion dhe mashtrim bankar. Ai dyshohet se është autor i një tjetër virusi, të quajtur “Zeus”, që disa vite më parë goditi rrjetet bankare duke vjedhur prej andej 70 milionë dollarë nga llogaritë e klientëve të tyre.

Që prej majit të 2009, Yakubets dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë rekrutuar dhe investuar në sisteme kompjuterike që përmes automatizimit shpërndanin në të gjithë botën viruse dhe programe të tjera mashtrimi me synim grabitjen e miliona dollarëve në disa banka në SHBA dhe vende të tjera të zhvilluara.

Veç bankave, viktimë e hakerave rusë besohet se kanë rënë edhe dhjetra biznese.

“Yakubets dyshohet se ka vepruar prej më shumë se një dekade në fushën e krimit kibernetik, duke realizuar dhe hedhur në qarkullim dy prej viruseve më të dëmshëm në historinë e bankave dhe sistemit financiar online, që u kanë shkaktuar viktimave miliona dollarë humbje në mbarë botën”, tha ndihmës prokurori i Përgjithshëm i Divizionit të Kriminalistikës në Departamentin e Drejtësisë, Brian Benczkovski.

Departamenti i Drejtësisë thotë se FBI zbuloi identitetin e dy kriminelëve kibernetikë rusë me ndihmën e homologes britanike, “National Crime Agency”. Kjo e fundit nisi që në 2014 hetimet për “Dridex”, duke mbledhur prova domethënëse ndër vite. Në 2015, NCA ja doli mbanë që të rrëzojë infrastrukturën e virusit në Britaninë e Madhe, ndërkohë që ndihmoi FBI-në për arrestimin e Andrey Ghinkul, një prej personave të përfshirë në përhapjen e virusit.

“Hetimet në Britani nga NCA shënjestruan gjithashtu edhe rrjetin e pastrimit të parave të Yakubets. 8 persona janë dënuar për një total prej 40 vitesh burg”, deklaroi NCA.

Nga hetimi i përbashkët amerikano-britanik dyshohet se Yakubets ka ndihmuar në më shumë se një rast qeverinë ruse duke vjedhur dokumenta sekrete përmes sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga shteti.

Yakubets besohet se aktualisht ndodhet në Rusi, ku autoritetet amerikane e kanë të pamundur që të veprojnë. Nëse ai vendos që të udhëtojë në një shtet tjetër rrezikon që të arrestohet.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë