Teknologji dhe Inovacion

SHBA/ Një aplikacion ndihmon të verbrit të përdorin transportin publik

Në Amerikë është krijuar një aplikacion për të ndihmuar këmbësorët e verbër të përdorin transportin publik. Aplikacioni është përdorur sot për herë të parë në një stacion metroje në Uashington.

I quajtur Waymap, aplikacioni do të drejtojë personat e verbër me udhëzime audio hap pas hapi gjatë një udhëtimi.

Aplikacioni nuk përdor GPS dhe mund të funksionojë pavarësisht sinjalit të celularit. Ai ngarkon të dhënat e detajuara të hartës në një smartphone dhe përdor sensorët e lëvizjes në telefon për të ofruar udhëzime të sakta.

"Lëvizshmëria nuk është një luks", tha Tom Pey, themeluesi dhe CEO i Waymap, i cili është i verbër dhe argumenton se aplikacionet e tjera nuk janë mjaftueshëm të sakta.

Njerëzit e verbër e kanë të vështirë të lëvizin në distanca të mëdha. Tani, me anë të këtij aplikacioni, ato mund të bëjnë distanca shumë më të mëdha.

Madje, sipas Pey, ato mund edhe të kalojnë në rrugë që nuk kanë qenë më parë.

"Kjo do të lejojë që shumë njerëz të bëhen më të pavarur, të mos duhet të mbështeten te familja dhe miqtë dhe të përdorin transportin publik si gjithë të tjerët", tha Pey.

Waymap do të vendoset deri në 30 stacione treni dhe gati 1000 stacione autobusi deri në shtator dhe në të gjithë sistemin e Metrosë deri në fillim të vitit 2023.

"Është pjesë e misionit tonë për ta bërë Metron të aksesueshme për të gjithë njerëzit”, tha Pey.

Pey shpreson që të verbrit në Uashington ta përdorin aplikacionin për të ndihmuar në përmirësimin e udhëzimeve dhe përmirësimin e hartave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë