Media Galeri

SHBA nis operacionin ndaj grerëzave vrasëse të bletëve

Grerezagazetasi

Autoritetet amerikane kanë nisur fazën e fundit të një operacioni spastrimi të territorit nga grerëzat gjigante aziatike, njohur ndryshe si “grerëzat vrasëse”, që nuk janë native për SHBA.

Insektet jo më kot e mbajnë këtë emër. Në 2019 ato ishin përgjegjëse për 45 vdekje në Kinë, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shndërruar në shqetësimin kryesor për bletërritësit dhe popullsinë e bletëve pasi janë vrasëset kryesore të tyre.

Këto grerëza pasi identifikojnë shënjestrat e tyre i vrasin bletët dhe më pas kolonizojnë hojet e tyre për të rritur pasaardhësit, që shfrytëzojnë mjaltin.

Grupet e entomologëve amerikanë janë vënë në lëvizje prej vitit 2017 për këtë shqetësim. Vështirësia më e madhe e tyre ka qenë identifikimi i hojeve të këtyre grerëzave, që për shkak të natyrës predatore dhe kolonizuese, që kanë dhe aftësisë për të pickuar më shumë se një herë shënjestrat janë gjithmonë në lëvizje.

Ky problem u zgjidh duke përdorur teknologjinë. Shkencëtarët pasi kapnin një grerëz vendosnin në trupin e saj një pajisje gjurmimi të vendndodhjes. Grerëza lëshohej sërish në natyrë dhe përmes gjurmuesit gjehej vendndodhja e hojeve të tyre.

Operacioni i parë i izolimit dhe asgjësimit të një kolonie me 200 grerëza të tilla u ndërmor në shtetin e Uashingtonit. Autoritetet thonë se aksione të ngjashme do të ndërmerren në javët dhe muajt në vazhdim edhe në zonat e tjera, sidomos aty ku është identifikuar se këto grerëza kanë reduktuar ndjeshëm popullsinë e bletëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë