Nga Gazeta 'Si'- “Raketat do flasin vetë”.
Ky ishte reagimi i Presidentit të Ukrainës Volodymir Zelensky pas përhapjes së lajmit se Uashingtoni i dha dritën jeshile përdorimit të raketave me rreze të gjatë veprimi.
“Goditjet nuk bëhen me fjalë. Gjëra të tilla nuk kanë nevojë për njoftime”, deklaroi presidenti Zelensky.
Ndërkohë në Rusi lajmi është pritur me reagime të ashpra. Nënkryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës ruse Vladimir Dzabarov tha se vendimi i SHBA mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore dhe do të marrë një përgjigje të shpejtë.
SHBA ka qenë furnizuesi më i madh i armëve për Ukrainën që nga fillimi i konfliktit.
Midis shkurtit 2022 dhe fundit të qershorit 2024, ajo dorëzoi ose angazhoi armë dhe pajisje me vlerë 55.5 miliardë dollar, sipas të dhënave të Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, një organizate kërkimore gjermane.
Aleatët e tjerë si Gjermania dhe Britania e Madhe kanë dhënë armë dhe pajisje përkatësisht me vlerë 11 dhe 9,6 miliardë dollarë. Armët përfshijnë avionë, mbrojtje ajrore, tanke dhe drone.
Britania e Madhe e ka furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë të quajtur Storm Shadows, por nuk e ka lejuar Ukrainën t’i përdorë ato kundër territorit rus.
Presidenti Vladimir Putin në shtator paralajmëroi Perëndimin se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale dhe se Moska do ta konsideronte çdo sulm të mbështetur nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.