Bota

SHBA, Gjykata e Lartë lejon përkohësisht përdorimin e pilulës për abortin 

Gjykata e Lartë ka vendosur, të paktën përkohësisht, të lejojë ilaçin më të përdorur për abortin në Amerikë.

Një veprim që vjen në ditën kur guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, nënshkroi një nga ligjet më kufizuese për abortin, duke e ndaluar përdorimin nga java e gjashtë e pas, kur shumë gra as nuk e dinë se janë shtatzënë.

Gjykata e lartë amerikane ishte vënë në dijeni si nga administrata Biden ashtu edhe nga një prej kompanive që prodhon ilaçin, mifepristoni, pasi gjykatësi kontrovers federal i Teksasit, Mattheë Kacsmaryk, i emëruar nga Presidenti i atëhershëm Donald Trump, e kishte bllokuar shitjen e tij.

Vendimi u rrëzua pjesërisht nga një gjykatë apeli, e cila gjithësesi ruajti një sërë kufizimesh të rrepta për aksesin në pilula.

Për këtë arsye Departamenti i Drejtësisë dhe kompania farmaceutike Daco kanë kërkuar ndërhyrjen “urgjente” të Gjykatës së Lartë. Një nga nëntë gjyqtarët, Samuel Alito, shpjegoi se tani ka kohë deri të mërkurën për të marrë një vendim përfundimtar. Kjo është një nga mosmarrëveshjet më të ndërlikuara që nga vendimi tronditës i së njëjtës gjykatë qershorin e kaluar, i cili përmbysi 'Roe w Wade' duke anuluar efektivisht të drejtën e abortit në mbarë vendin dhe duke i dhënë çdo shteti të drejtën për të vendosur vetë.

Që atëherë, ka pasur shumë guvernatorë republikanë që i kanë kufizuar rëndë ose i kanë ndaluar plotësisht abortet si Alabama, Misisipi dhe Luiziana.

Kjo është arsyeja pse beteja për pilulën është bërë më e ashpër. Shteti më i fundit që shtrëngoi ligjet për abortin ishte Florida e DeSantis, e cila vendosi një ndalim pothuajse total.

Ligji i ri i miratuar nga guvernatori hiper-konservator parashikon përjashtime deri në 15 javë vetëm për viktimat e përdhunimit, incestit dhe trafikimit të qenieve njerëzore, me kusht që pacienti të sigurojë prova, si për shembull një raport policie. “Ne jemi krenarë që mbështesim familjen dhe jetën në Florida”, tha babai i tre fëmijëve teksa firmoste projektligjin.

Kjo është vetëm masa e fundit e së djathtës ekstreme e nisur nga DeSantis vitet e fundit: nga censura e librave dhe kurseve të studimit që flasin për kulturën anti-raciste deri te beteja kundër komunitetit LGBTQ+...

Ndërkohë DeSantis ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij. Sipas sondazheve të fundit, megjithë problemet ligjore, rivali i tij më i frikshëm Donald Trump ruan një epërsi të konsiderueshme. Sipas të dhënave të 12 prillit, 49.3% e preferencave do t'i shkonin manjatit kundrejt 26.2% për guvernatorin. Shumë prapa dy pretendentët e tjerë kryesorë, ish-zëvendëspresidenti Mike Pence me 5.8% dhe gruaja e vetme në garë, Nikki Haley, me 4.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë