Teknologji dhe Inovacion

SHBA dhe BE po hartojnë një kod për rregullimin e inteligjencës artificiale

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po hartojnë një kod vullnetar sjelljeje për inteligjencën artificiale, tha të mërkurën(31 maj) një zyrtare e lartë e Bashkimit Evropian, pas paralajmërimeve të shumta për rreziqet që mund t’i sjellë kjo teknologji.

"Ky kod vullnetar do ta mbushte boshllëkun rregullator ndërsa blloku evropian 27-vendësh po punon për arritjen e disa rregullave për inteligjencën që nuk do të hyjnë në fuqi deri më 2026, tha nënpresidentja e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager, në një takim të Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë, që udhëhiqet bashkërisht nga zyrtarë amerikanë dhe evropianë.

“Ne kemi nevojë për inteligjencë artificiale të përgjegjshme. Inteligjenca artificiale e përgjithshme e ndryshon plotësisht gjendjen”, tha Vestager.

Ajo tha se për draftin e këtij kodi do të ketë bashkëpunim me ekspertët e industrisë dhe premtoi që “shumë, shumë shpejt [do të ketë] një propozim përfundimtar se si kjo industri të rregullohet vullnetarisht”.

Ky këshill ka “një rol të rëndësishëm për të luajtur për të ndihmuar në krijimin e kodeve vullnetare të sjelljes që do të ishin të hapura për të gjitha vendet që ndajnë të njëjtin mendim”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ky takim vjen mes paralajmërimeve të shumta nga ekspertë për rreziqet që mund të sjellë inteligjenca artificiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë