Ngjarje

SHBA dënon sulmin kibernetik në sistemin TIMS

Nga Gazeta Si - SHBA ka dënuar sulmin kibernetik në sistemin TIMS në Shqipëri. Në një deklaratë të shkurtër në rrjetet sociale, Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë thotë se Uashingtoni po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer situatën në normalitet.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 Shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 Korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të hetuar dhe rikthyer normalitetin”, thuhet në deklaratë.

Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave ra të premten pre e një sulmi kibernetik, që krijoi vështirësi në pikat kufitare për regjistrimin e shtetasve në hyrje dhe dalje. Kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter shtoi se përgjegjës është i njëjti agresor që sulmoi sistemet online më 15 korrik, Republika Islamike e Iranit.

Sulmi erdhi dy ditë pasi qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë