Ka ndodhur

Shantazhonte një vajzë se do i publikonte foto intime, arrestohet 26-vjeçari në Durrës

Një 26-vjeçar nga Durrësi ka rënë në pranga pasi shantazhonte duke kërcënuar një femër duke i kërkuar shuma të ndryshme parash ose në të kundërt do t’i publikonte në rrjetet sociale foto intime.

Operacioni për kapjen e të riut u quajt “Pagesa e fundit” dhe u krye në momentin që ai po tërhiqte një sasi parash në një pikë transferimi parash.

“Gjatë operacionit kapet dhe vihet në pranga 26 vjeçari, i cili ishte i shpallur në kërkim pasi shantazhonte dhe kanoste një shtetase duke i marrë vlera monetare. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi vlere monetare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, pasi në mënyrë të përsëritur, ka shantazhuar dhe kanosur një shtetase, duke i kërkuar shuma të ndryshme të vlerave monetare ose në të kundërt do publikonte në rrjete sociale foto intime.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë