Më të mirat 2021

Shamia dhe hixhabi nuk i kanë ndaluar vajzat të jenë trendi

Nga Sorgena Leka-Është shumë e thjeshtë të ndjekësh modën dhe të vishesh bukur por sa e thjeshtë kjo kur ke vendosur të veshësh Hixhab?

Najana Ademi është një studente 22-vjeçare e cila fare mirë mund të quhet blogere pasi është mjaft e ndjekur në instagramin e saj.

Ajo i tregon Gazetës “Si” se dëshira për t'u veshur bukur ka qenë që në fëmijërinë e saj dhe kjo dëshirë nuk ka ndaluar as në moshën 18-vjeçare kur ajo zgjodhi të vendoste shaminë.

“Mund të jem modeste dhe njëkohësisht të kem dhe stilin tim”, tha Najana.

Najana Ademi

Ajo na tregon se vendimi për të hapur një faqe në instagram dhe për të qenë një “influencer” ka ardhur si pasojë e mbështetjes së madhe që ajo ka pasur nga të gjithë ato që e ndiqnin në instagramin e saj personal dhe e pëlqenin stilin e saj.

Najana është një vajzë e thjeshtë e cila përveç se do të vishet bukur, ka dashur gjithmonë dhe të jetë një burim inspirimi për të gjitha vajzat e tjera, për të treguar “se hixhabi nuk është aspak një pengesë për të jetuar çdokush jetën që do.”

Ajo veshjen e saj nuk e shikon si diçka moderne dhe të tepruar, ashtu siç mendojnë ato që e paragjykojnë, por si diçka e bukur, një e mesme që ja lejon dhe feja, dhe moda.

“Nëse modestia me modën shkojnë bashkë pa humbur identitetin, nuk shoh asnjë problem.” tha Najana.

Jeta e Najanës është njësoj si e një vajze 22-vjecare. I pëlqen të shkruajë, të bëjë fotografi dhe të kalojë kohë me shoqërinë e saj. Faqen e saj në instagram e përdor si një mënyrë për ti bërë jehonë hixhabit të bukur, atij që të bën të jesh pjesë e industrisë së modës, sidomos tani që shumë marka të njohura gjithashtu i kanë kthyer sytë nga hixhabi si pjesë e modës.

Por sa e vështirë është të gjesh hixhab të shumëllojshëm?

“Vitet e fundit janë shtuar butikët, të cilët mundësojnë veshje modeste dhe të shumëllojshme për femrat e mbuluara”, tregon Najana.

Muslim_shop_albania është një ndër dyqanet ku shiten hixhabe dhe, siç Sumeja Aliu, pronarja, tregon për Gazetën “Si”, ka pak kohë që vajzat myslimane kanë filluar të kërkojnë diçka më moderne, më të kohës.

“Më herët nuk i kanë kushtuar rëndësi ngjyrave të stinës, ndërsa tani është ndryshe dhe gjithmonë kërkojnë hixhab me ngjyrat dhe modelet e stinës.” tregon Sumeja.

Disa nga veshjet që ndodhen në Muslim Shop

Përveç ngjyrave, rëndësi tani i jepet dhe copës së hixhabit. Për shembull, Sumeja na tregon që nëse lëkura është në modë një sezon, shtohen vajzat që kërkojnë hixhab lëkure.

Por dhe kjo pjesë shkon përkrah me moshën. Vajzat e reja deri në 40 vjeçe janë në kërkim të të bukurës dhe modernes në krahasim me të tjerat që nuk i ndahen tradicionales.

Adela Bushi është një tjetër e re e cila e shikon veshjen si “identitet” dhe me anë të veshjesh po përfaqëson veten e saj.

Me këtë ide ajo vendosi të vishte hixhab vetëm disa muaj më parë edhe pse kishte kohë që e mendonte dhe e studionte këtë hap.

Adela Bushi

Ajo tregon se në fillim vishej shumë thjeshtë pasi kjo i krijonte rehati, diçka që me kalimin e kohës filloi të ndryshonte pak nga pak.

“Stili im është adaptuar me kalimin e kohës. Më pëlqen të vesh hixhab me ngjyra të hapura në verë siç janë roza, bezha apo nuanca të kafes, ndërsa në dimër përdor nuanca më të mbyllura apo dhe ngjyrën e zezë.” tregon Adela.

Kështu funksionon dhe për markat e njohur apo jo?

Adela mund të themi që është pjesë e modës për aq kohë sa për çdo aktivitet ka një mënyrë të ndryshme të të veshurit.

Ajo na tregoi se ka një mënyrë veshjeje kur shkon në aktivitet, e cila ndryshon kur shkon në punë apo del shëtitje.

Si Najana, dhe Adela do shumë që me anë të platformës së saj dhe asaj që ajo vesh t’ju tregojë të gjitha vajzave se gjithsecila prej tyre mund të tregojë një identitet të sajin me anë të veshjes.

E tillë ka qenë dhe për blogeren Fatime Stojku e cila na tha se për të që është e apasionuar pas modës, shamia nuk ka qenë pengesë, përkundrazi “ka  qenë një aksesor shtesë me të cilën mund të zhvilloj një mori stilimesh me ngjyra dhe forma të cilat i japin ditës një energji tjetër.”

Pra, shamia është një mundësi më shumë për të eksperimentuar, për t'u afruar më shumë me trendet e fundit dhe për të qenë po aq e veçantë sa është çdo modele. Kjo fare mirë vihet re nëse viziton faqen e Fatimes ku shikohen pafund ngjyra dhe trende.

Fatimja thotë se ajo që duhet të dinë të gjithë njerëzit, sidomos ato që i paragjykojnë, është se shamia dhe moda kanë një lidhje që thjesht i bëjnë femrat e mbuluara unike, të veçanta.

“Njerëzit duhet të shohin se çfarë ndodh në industrinë e modës. Adidas dhe Nike kanë filluar të përdorin shaminë si një aksesor shtesë.” tregon ajo.

Gjithashtu, siç tregon Fatimja, ka modele që shaminë dhe hixhabin i shohin si një opsion modelimi dhe edhe pse nuk janë praktikante.

Pra, një hixhab modern, në modë dhe që shkon me trendët e sezoneve është tashmë pjesë e fesë, trendit dhe industrisë së modës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë